Osmani takohet me ambasadorin Hovenier, flasin për çështjen e dinarit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, më 22.02.2024.

Sipas njoftimit, ata kanë biseduar për çështjen e dinarit, pas rregullores  së Bankës Qendrore të Kosovës që përcakton se e vetmja valutë në vend që mund të përdoret për pagesa është Euro-ja.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend me fokus të veçantë në propozimet të cilat ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për zbatimin e rregullores së BQK-së”- thuhet në njoftim.

Ndërsa thuhet se Osmani ka theksuar mirënjohjen për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve.

“Duke diskutuar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, Presidentja Osmani ripotencoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për sovranitetin, kushtetueshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës”- thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim u diskutua po ashtu edhe për bashkëpunimin për sa i përket agjendës ndërkombëtare në muajt në vijim si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Osmani më 19.02.2024 në një deklaratë për media ka thënë se inkurajon të gjitha institucionet për bashkëpunim me aleatët lidhur me çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos Euros, që të përdorët si mjet pagese.

Ajo është shprehur e bindur që janë në rrugën e drejtë që të arrihet plan tranzicioni sa i përket kësaj rregullore.

“Sikurse edhe çdoherë tjetër bashkëpunimi me aleatët tanë asnjëherë nuk e çon Kosovën në rrugë të gabuar. Si presidente e vendit vazhdimisht inkurajoj të gjitha institucionet që bashkëpunimin ta kenë në maksimum, sepse sa herë veprojmë të bashkuar jemi shumë më të fortë dhe të njëjtën gjë e kërkoj edhe tani. Jam e bindur që jemi në rrugë të drejtë që shumë shpejt ky plan tranzicioni të arrihet me pajtimin e të gjithëve dhe të jemi efektiv në tërësi, por bashkë edhe me aleatët tanë në zbatimin e plotë të Kushtetutës sonë në çdo cep të vendit”- ka thënë Osmani.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier më 15.02.2024,  ka thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.

Hovenier tha se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores.