Osmani: Puna për padinë për gjenocid ndaj Serbisë është konfidenciale

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se institucionet janë duke punuar për padinë për gjenocid ndaj Serbisë.

“Është duke u punuar intensivisht nga një ekip profesionistësh të cilët po i përgatisin materialet që duhet t’i kemi sa i përket padisë për gjenocid. Çështja e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë kurrë nuk ka qenë më publike në arenën ndërkombëtare sesa tani”, tha ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

Osmani nuk ka dhënë datë kur pritet të ushtrohet kjo padi, duke theksuar se puna është ‘konfidenciale’.

“Puna për padinë për gjenocid është konfidenciale dhe është punë që do të vazhdojë edhe për një kohë, kur kryehet do të ju njoftojmë, sepse nuk është lojë kjo punë, nuk është rast që guxon të dështojë” , tha ajo.

Padia për gjenocid ndaj Serbisë ishte përmendur si iniciativë nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Mirëpo, edhe pse ishte paralajmëruar vazhdimisht, një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.

Padia për gjenocid ndaj Serbisë është pjesë e programit të Qeverisë së Kosovës.

Miratohet programi qeverisës për Qeverinë Kurti II, pjesë e tij edhe padia për gjenocid ndaj Serbisë