Foto:ZPRK

Osmani pritet në takim nga homologu i saj portugez, diskutojnë për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Portugali është pritur në takim nga presidenti Marcelo Rebelo de Sousa në Pallatin Presidencial “Belem” në Lisbonë.

Në një komunikatë për media thuhet se sipas Osmanit, vizita e dytë në këtë shtet është dëshmi e  marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe, të cilat tashmë ndodhen në një fazë dinamike me fokus në intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

“Ky është një moment i rëndësishëm dhe historik për ta shprehur  mirënjohjen për shtetin dhe popullin e Portugalisë për kontributin e dhënë përgjatë viteve. Kjo mbështetje ka ndikuar shumë në avancimin e qëllimeve tona parësore në rrugën e integrimeve euro-atlantike, forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal”- ka deklaruar .

Më tej, presidentja është shprehur se e sheh Portugalinë si një shtet mik brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë, ndaj tha se shpreson në mbështetje të mëtejme për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Në këtë kontekst Presidentja ka falënderuar Portugalinë për mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave dhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe ka shfaqur shpresën se Portugalia do të përkrahë edhe dhënien e statusit kandidat në BE per Republikën tonë”- theksohet në komunikatë.

Në njoftim është bërë e ditur se një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve të fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë.

“Presidentja Osmani e informoi homologun De Sousa dhe për zhvillimet e fundit në vend, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator, me ç’rast, potencoi rëndësinë e sjelljes para drejtësisë në Kosovë të grupit paramilitar serb dhe adresimin e përgjegjësisë së Serbisë në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit”- thuhet në njoftim.

Sipas kumtesës, presidentja po ashtu potencoi se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se përmbyllja e këtij procesi përmes njohjes së ndërsjellë është e vetmja rrugë që do të sjellë paqe afatgjate në rajon.

Në këtë takim, Osmani dhe presidenti De Sousa kanë diskutuar edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të sfera të interesit të dyanshëm.