Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe i dërguari i posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz. Foto: Presidenca e Republikës së Kosovës

Osmani flet për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike me emisarin e Francës për Ballkanin Perëndimor

Anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike e zhvillimet e fundit ishin temat që u diskutuan mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe të dërguarit të posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz.

Ata u takuan sot, më 26.03.2024, në zyrën e presidentes Osmani në Prishtinë.

“Gjatë takimit Presidentja Osmani përshëndeti hapjen e Institutit francez në Prishtinë, duke theksuar rëndësinë vitale të këtij instituti në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve, përmes promovimit të vlerave të përbashkëta dhe thellimit të mirëkuptimit të ndërsjellë nëpërmjet gjuhës dhe kulturës” – njofton Presidenca e Kosovës.

Osmani e Troccaz folën edhe për zhvillimet në fushën e sigurisë.

Presidentja ka theksuar rëndësinë e vazhdueshme të Francës për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022 për anëtarësim në Këshillin e Europës. Për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, kryeministri i Kosovës, ka vendosur ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, anipse tha se nuk i pëlqen ai “vendim i çuditshëm e i padrejtë”.

Kjo për shkak se ndërkombëtarët kanë kushtëzuar ecjen tutje të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës me zbatimin e këtij vendimi.

Këshilli i Europës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.