Vjosa Osmani

Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com

Osmani do të ndajë medalje presidenciale të Meritave për 15-vjetorin e Pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për nder të 15 vjetorit të pavarësisë, ka vendosur të ndajë Medalje Presidenciale për disa personalitete.

Kështu ka bërë të ditur Presidenca përmes një komunikate për media, në të cilën thuhet se ceremonia e ndarjes së medaljeve do të mbahet më 20 shkurt.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka vendosur të ndajë medalje për personalitete nga sfera e kulturës, sportit dhe sigurisë për personalitete që kanë dhënë kontribut dhe kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës. Ceremonia e ndarjes së Medaljeve do të mbahet më 20 shkurt”- thuhet në komunikatë.

Sot janë bërë 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.