Osmani: Bota të qëndroj me Ukrainën njësoj siç qëndroi me Kosovën 25 vjet më parë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila mori pjesë në Samitin e Paqes për Ukrainën që u mbajt në Zvicër, tha se bota duhet të qëndroj me Ukrainën ashtu siç ishte me Kosovën para 25 vjetëve.

Ajo në fjalimin e saj përmbyllës, shtoi se shtetet demokratike i erdhën në ndihmë popullit të Kosovës në ditët më të vështira duke dërguar sinjal të qartë se nuk do të lejojnë shtypjen dhe shfarosjen e një populli që luftonte për lirinë e vet

“Ashtu si bota qëndroi me popullin e Kosovës 25 vjet më parë, ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën për të arritur paqen, një paqe të drejtë. Kosova është pjesë e aleancave që po mbrojnë vlerat e lirisë”, – tha presidentja Osmani.

Ajo gjithashtu në këtë fjalim tha se kjo luftë në Ukrainë nuk është veç lufta e Ukrainës, por betejë e përbashkët.

Është një betejë për vlerat dhe idealet tona të përbashkëta, të cilat sot janë nën rrethim, por janë po aq të qëndrueshme sa shpirti i atyre që i mbrojnë”, – shtoi tutje ajo.

Ndryshe në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër morën pjesë liderë nga 100 shtete të botës.

Ky Samit u mbajt më 15 dhe 16 qershor 2024, i cili mblodhi liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën.