Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti: Në duam zbatim të plotë, Serbia dëshiron të përqendrohemi tek neni 7

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se neni 7 i marrëveshjes së Brukselit i cili flet për vetmenaxhimin ose asociacionin e komunitetit serb, është pjesë e marrëveshjes por nuk është marrëveshja.

Në një deklaratë për media, Kurti ka thënë se këtë qëndrim e ka ripërsëritur edhe në takimin e djeshëm në Bruksel me kryenegociatorin serb zëvendësi i tij Besnik Bislimi.

“Natyrisht se neni 7 është pjesë e marrëveshjes, mirëpo marrëveshja nuk është vetëm neni 7, nuk e përmban neni 7 marrëveshjen por marrëveshja e përmban nenin 7, dhe këtë gjë, zëvendësi im dhe kryenegociatori Bislimi e ka bërë të qartë në takimin që ka pasur me kryenegociatorin e Serbisë nën ndërmjetësimin e Lajçak” – tha Kurti.

Kurti ka thënë se pala kosovare dëshiron një plan zbatimi i cili është i hollësishëm, konkret, serioz, i balancuar dhe gjithëpërfshirës.

“Sa i përket nenit 7, pala serbe, Beogradi zyrtar e ka rinkonfirmuar se atyre nuk ju intereson Kushtetuta dhe kushtetutshmëria, as aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, as letra e Mogherinit, por vetëm teksti që e ka nënshkruar kryeministri Mustafa. Pra ata dëshirojnë një dekonstektualizim të atij teksti dhe nuk janë të interesuar për marrëveshjen që jemi dakorduar”- tha ai.

Kurti ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit e pasuar nga aneksi i 18 marsit në Ohër duhet të zbatohet në plotni.

“Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë të menjëhershëm të marrëveshjes, pa kushte, dhe pa vonesa. Është problemi tek pala tjetër e cila nga 5 pikat e preambulës, dhe 10 në tekst të marrëveshjes, ajo dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm tek neni 7”- THA AI.

Kurti poashtu akuzoi palën serbe për shkelje të marrëveshjes, duke thënë se Bashkimi Evropian ende ka marrë masa karshi saj.

“Në takimin e 2 majit të nivelit të lartë, unë i kam dorëzuar një dokument me të gjitha shkeljet e Serbisë edhe të marrëveshjes bazike të 27 shkurtit në Bruksel, por edhe të marrëveshjes së Ohrit, që është pjesë integrale si aneks i zbatimit, mirëpo deri më sot nga ndërmjetësit nuk kemi një qëndrim sa i përket denoncimit tonë mbi shkeljet e Serbisë”- tha ai.

Dje, në Bruksel është mbajtur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse, sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash.

Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të saj.

Lajçak deklarohet pas takimeve me Bislimin e Petkoviqin