Prishtinë - Qentë endacakë, dhjetor 2020 - FOTO: NAIM KRASNIQI - KALLXO

Organizata për drejtat e kafshëve kërkon përkushtim të nivelit lokal në menaxhimin e qenve endacakë

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve përmes një letre ka kërkuar nga pushteti lokal në gjithë vendin që të punojnë më shumë në menaxhimin e kafshëve, përkatësisht të qeneve endacakë.

Kjo organizatë ka përgatitur edhe një strategji kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacakë në nivel vendi, të cilën edhe e kanë dorëzuar tek institucionet përgjegjëse.

Sipas një analize të Fonacionit për Drejtat e Kafshëve, janë disa institucione që duhet të kujdesen për menaxhimin sa më të mirë të qenve endacakë.

“Institucionet e nivelit qendror dhe lokal fajsonin njëra-tjetrën për situatat e vështira në komunitet për shkak qenve endacakë, prandaj FDK, edhe për këtë aspekt, ka bërë një analizë ligjore nga e cila është gjetur se institucionet më kompetente në raport me kontrollin dhe menaxhimin e qenve endacakë janë: a) Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, b) Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe c) Autoritetet Komunale (Komunat)”, thuhet në komunikatë.

Sipas analizës, MBPZHR ka përgjegjësi dhe kompetencë në ndryshimin, plotësimin apo prezantimin e akteve nënligjore që përforcojnë zbatimin e ligjeve që rregullojnë respektimin e mirëqenies së kafshëve në Kosovë kurse AUV, ka për dëtyrë që të sigurojë mbarëvajtjen e projekteve të rëndësishme, siç është identifikimi dhe regjistrimi i qenve me pronar, për të parandaluar dhe ndëshkuar braktisjet e shumta të qenve dhe këlyshve në rrugë.

“AUV, po ashtu ka për detyrë të zbatojë ligjet relevante për mirëqenien e kafshëve nëpërmjet inspektorëve veterinar apo të fushave tjera”, thuhet në njoftim.

Edhe niveli qendror ka një rol të rëndësishëm në menaxhimin sa më të mirë të qenve endacakë.

“Me nenin 13, të Ligjit për Veterinarinë janë të caktuara autorizimet dhe përgjegjësitë të cilat i kanë autoritetet komunale në raport me kontrollimin dhe menaxhimin e qenve endacakë, të cilat autorizime dhe përgjegjësi duhet t’i ushtrojnë konform procedurave të vendosura nga MBPZHR”, thekson komunikata për media.

Ndërsa, përgjegjësi ka edhe niveli lokal.

“Sipas nenit 13, paragrafi 1, pika (a), Autoritetet Komunale, janë përgjegjëse për regjistrimin e qenve. Pra, konform kësaj dispozite, Autoritetet Komunale kanë për detyrë që të bëjnë regjistrimin e qenve, pa marrë parasysh a janë qenë me pronar apo pa pronar. Për këtë aspekt, AUV është duke filluar fazat e para të identifikimit dhe regjistrimit të qenve me pronar, konfrom Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) 02/2018 për Identifikimin dhe Regjistirmin e Kafshëve Shoqëruese, dhe ndryshimit dhe plotësimit të këtij të fundit, Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) 02/2021”, thuhet tutje në njoftim.

“Sipas Ligjit për Veterinarinë, Autoritetet Komunale kanë për detyrë që të bëjnë vaksinimin e qenve kundër tërbimit dhe dehelmentizimin kundër ekinokokëve. Neni 13, paragrafi 1, pika (c), e Ligjit për Veterinarinë, parasheh se Autoritetet Komunale janë të detyruara të bëjnë kapjen e qenve endacak dhe në rast nevoje të përdorin eutanazinë ndaj tyre (sëmundje të pashërueshme apo agresivitet i papërmirësueshëm), ndërsa sipas pikës (d) të këtij paragrafi, Autoritetet Komunale, në rast se përdorin eutanazinë, atëherë të njëjtit kanë për detyrë të bëjnë edhe largimin e trupave dhe hedhjen e tyre në një vend të sigurt. Detyrim tjetër i Autoriteteve Komunale në raport me kontrollimin dhe menaxhimin e qenve endacak është edhe detyrimi për themelimin e vendeve për përkujdesjen e qenve”, vijon komunikata.

Sipas OJQ-së që merret me mbrojtjen dhe promovimin e drejtave të kafshëve, për të luftuar burimet e qenve endacak, komunat duhet të zbatojnë aktet ligjore dhe nënligjore për identifikimin dhe regjistrimin e qenve me pronar dhe pa pronar.

Ndërsa, sipas tyre, kastrimi i qeneve nuk është zgjidhja e duhur.

“Nëse nuk zbatohen disa masa paralele për menaxhimin e qenve në Kosovë, vetëm kastrimi dhe sterilizimi i qenve të rrugës, nuk tregon asnjë përmirësim të situatës por vetëm merret me simptomat e problemit. Kastrimi dhe sterilizimi i qenve endacak duhet të bëhet vazhdimisht, por jo si masë e vetme nëse mendohet një zgjidhje e qëndrueshme për qentë endacak, pa regjistrimin e të gjithë qenve, kontrollin e mbarështimit, shitjes dhe importit të qenve në Kosovë, dhe strehimit të tyre sipas rrethanave dhe nevojës”, thuhet në njoftim.