Protestë e aktivistëve të drejtave të kafshëve në Ferizaj - VIDEO

Aktivistë të të drejtave të kafshëve kanë protestuar në shenjë revolte ndaj Drejtorisë të Bujqësisë dhe Veterinarisë në Ferizaj për menaxhimin e kontratave ndaj trajtimit të 1 mijë e 300 qenve endacakë.

Elza Ramadani nga organizata joqeveritare Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thotë se protesta e tyre po bëhet për të kërkuar nga Komuna e Ferizajt që të jenë transparent për punët që i bëjnë dhe shpenzimin e parasë publike.

“Revoltën tonë ndaj drejtorit të drejtorisë së Veterinarisë, Burim Bajrami që ka jep kontrata të fshehta, ai thotë që ka jep kontrata për sterilizim dhe kastrim, nuk shkruan ai send askund, nuk po shohim zbatim, nuk po gjejmë qenë me vathë të kuq ashtu si i ka raportu”, ka thënë Ramadani.

Aktivistja Ramadani ka hedhur dyshime se qentë endacakë në Komunën e Ferizajt janë zhdukur ose vrarë.

“Një njoftim për kallëzim penal e kemi dorëzu në Prokurorinë Themelorë në Ferizaj edhe presim që hetimet të fillojnë për shpenzimet e parasë publike për këtë projekt dhe me pa se a ka pas shkelje tek dhënia e ndihmës së jo të ndërgjegjshme veterinare, sepse ne këtë po dyshojmë që qentë nuk janë kastru, po ose janë zhduk ose janë vra që është e njëjta shkelje ligjore”, ka thënë ajo.

Drejtori i Bujqësisë dhe Veterinarisë në Komunën e Ferizajt, Burim Bajrami thotë se dokumentet që kanë të bëjnë me kontratën për kastrimin, sterilizimin dhe vaksinimin e qenve endacak për vitin 2021 do të ju jepen OJQ-vë pas muajit prill kur të përfundojë kontrata.

Ndërsa i pyetur se për pretendimet e aktivistëve për zhdukjen apo vrasjen e qenve endacakë, nga komuna nuk kanë dhënë përgjigje të qartë.

“Mbas atit të mirë qohet pluhur gjithë më shumë edhe ne përderisa i kemi zhvillu të gjitha këto aktivitete, normalisht që fokusi ka qenë tek Komuna e Ferizajt, sepse kemi vazhdu aktivitete të vazhdueshme edhe nuk ke pse shkon në komuna të tjera, sepse nuk kanë as qendër të trajtimit të përkohshëm”, ka thënë Bajrami.

Aktivisti Driton Gusia gjendjen me kafshët e ka konsideruar si një simptomë të thellë institucionale, për shkak të raportimeve për shkelje të të ligjit nga veterinarët të cila ata i kanë bërë.

“Kemi vrenjt që nuk ekziston një përgjegjësi institucionale t’i mbikëqyrë edhe të jep sanksione, kur shkelet etika profesionale, që në shtete tjera kjo rezulton me humbje të diplomës, me gjoba të mëdha apo edhe me burg”, është shprehur Gusia.