Ilustrim Qentë endacak

Vrasja e qenit, reagon organizata për të drejtat e kafshëve

Para disa ditëve, portali “Insajderi.org” kishte publikuar një video, ku shihet një person, me rroba civile, por që të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të uniformuar të policisë, godet me disa plumba në drejtim të një qeni.

Ngjarja është raportuar se ka ndodhur në fshatin Vranidoll të Prishtinës.

Pas publikimit të pamjeve, ka reaguar edhe organizata “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”, të cilët e kanë konsideruar akt të tepruar vrasjen e një qeni në rrugë.

“Ne jemi të vetëdijshëm që qentë janë me të vërtetë agresiv përbëjnë rrezik, jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët e tjera, dhe patjetër që duhet të largohen nga rruga me metoda humane, por veprime të tilla si vrasja me armë me 8 plumba të një qeni të rrugës, nuk është mënyra e duhur për të menaxhuar situatat me qentë në rrugë”- thuhet në reagimin e kësaj organizate.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës për këtë rast, por deri më tani, këto dy institucione nuk kanë kthyer përgjigje.