Nga 10 marsi, të gjithë ata që kanë kafshë shoqëruese obligohen t’i regjistrojnë ato

Të gjithë ata që kanë kafshë shoqëruese janë të obliguar që t’i identifikojnë dhe regjistrojnë ato tek autoritetet përkatëse nga data 10 mars e këtij viti.

Kjo ka ardhur pasi ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, nënshkroi dy udhëzime administrative, atë për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve si dhe atë për kompensimin financiar të shërbimeve veterinare në terren.

Këtë nismë e ka mirëpritur edhe organizata joqeveritare “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”.

“Më konkretisht, pas hyrjes në fuqi të këtyre udhëzimeve (10.03.2021), të gjithë personat që mbajnë kafshë shoqëruese (qen, mace), duhet të identifikojnë dhe regjistrojnë kafshët e tyre, pranë subjekteve veterinare që do të kontraktohen apo autorizohen nga AUVK. Organizata jonë do të takohet me AUVK-në për të diskutuar planin e zbatimit të këtyre dy udhëzimeve administrative, dhe më pas, do të organizojë fushata informuese për t’i informuar mbajtësit e kafshëve për përgjegjësitë e reja ligjore që ju takojnë për të regjistruar kafshët e tyre”, thuhet në njoftimin për media të kësaj OJQ-je.

“Më në fund, edhe shteti ynë ka një bazë ligjore, e cila e obligon regjistrimin e kafshëve shoqëruese, por ç’është më e rëndësishme, të njëjtën kohë, e ndalon dhe e ndëshkon braktisjen e tyre. Kjo, ka munguar për vite të tëra në vendin tonë, dhe jemi të lumtur që më në fund është krijuar baza ligjore për parandalimin e braktisjes së kafshëve shoqëruese”, thuhet tutje në komunikatën e Fondacionit për Drejtat e Kafshëve.

Ditë më parë, emisioni “Kallxo Pernime” trajtoi temën për qentë endacakë në Kosovë. Aktualisht, nuk dihet sa të tillë janë në vendin tonë derisa ata shpesh kanë qenë edhe agresivë duke sulmuar qytetarët.

“Nuk e di askush sa qen endacakë janë në Kosovë”

www.kallxo.com