Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ngre alarmin për keqtrajtimin e qenëve endacakë

Fondacioni për Drejtat e Kafshëve ka reaguar ndaj një rasti në Suharekë, të keqtrajtimit të qenve endacakë.

Përmes një komunikatë për media, kjo organizatë, ka ngritur alarmin për keqtrajtimin e qenve endacakë, dhe ka përmendur me emër Bekim Shehin, nga fshati Vranicë i komunës së Suharekës, duke thënë se është një nga qindra abuzues të kafshëve, që sipas tyre, veprojnë lirshëm duke abuzuar qentë në Kosovë.

“Fatkeqësisht, Bekim Shehi nuk është i vetmi i cili kryen vepra penale të keqtrajtimit të kafshëve sipas Nenit 346 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kriminelë të shumtë në të gjitha rajonet e Kosovës, janë të përfshirë në organizime jashtëligjore të luftërave, ku testohet fuqia e kafshës (qenve), e në anën tjetër, edhe pse për të gjitha këto organizime, ka fakte për vepra penale, Policia dhe Prokuroria nuk janë duke bërë ASGJË”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, edhe pse organizata ka bërë deri më tani dhjetëra kallëzime penale për organizim të luftërave me qen, deri më tani organet përgjegjëse nuk kanë marrë asnjë masë.

“Policia e Kosovës është aq e papërgatitur për t’u marrë me këto raste, saqë çdoherë që e raportojmë ndonjë rast mundohen që të na injorojnë dhe ta zgjasin procesin sa më shumë. Aq nuk iu intereson, saqë në telefonatat me zyrtarë policor, edhe e-malat zyrtar për raportimet tona të nevojshme na komunikojnë gabimisht dhe pa asnjë fije ndjeshmërie për këto raste”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

Ata kanë paralajmëruar se do t’u drejtohen instancave më të larta të Qeverisë, si dhe Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për të ngritur shqetësimet që kanë rreth kësaj çështjeje.

“Organizata jonë do të organizoj një protestë për neglizhencën e madhe që institucionet tona po tregojnë karshi të drejtave të kafshëve dhe mirëqenies së kafshëve”, thuhet në fund të reagimit.