Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

ORCA e quan ndërhyrje politike mosaprovimin e katër prorektorëve në UP

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka reaguar pasi Këshilli Drejtoes i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk i aprovoi katër prorektorë të propozuar nga rektori i ri i universitetit, Naser Sahiti.

“Këtë veprim ORCA e sheh si tentativë për ndërhyrje në menaxhment të UP-së nga ana e Këshillit Drejtues dhe Ministrit të Arsimit përmes përfaqësuesve të tij në Këshillin Drejtues” shkruhet në reagimin e ORCA-s.

Sipas organizatës  kjo përbën shkeljen e ndarjes së pushteteve në UP mes Këshillit Drejtues, Rektoratit dhe Senatit.

Sipas organizatës, në mbledhjen e mbajtur me 1 tetor, ishte paraparë të aprovohet propozimi i rektorit për prorektorë, Këshilli Drejtues ka miratuar vetëm një prorektor, profesor Mimoza Ibrani, ndërkaq pa asnjë arsyetim ka shtyrë votimin për propozimet tjera të rektorit.

Sipas ORCA-s në parim parim është e drejtë e rektorit të zgjedhë ekipin e tij siç edhe do të jetë përgjegjësi e tij performanca e tyre.

ORCA pret nga Këshilli Drejtues që refuzimin e mundshëm të ndonjë propozimi ta justifikojë dhe ta paraqesë para publikut për ta njohur atë me mangësitë akademike apo etike të prorektorëve të refuzuar.

Sipas organizatës të gjithë prorektorët e propozuar nga rektori Naser Sahiti i justifikojnë titujt akademik për sa i përket numrit të punimeve shkencore të nevojshme për titujt përkatës akademikë.

Prorektorët e propozuar ishin: Mimoza Ibrani për mësimdhënie dhe çështje me studentë; Albulena Blakaj për bashkëpunim ndërkombëtar; Mihane Berisha për buxhet dhe financa; Kurtesh Berisha për kërkime shkencore dhe Naser Zabeli për zhvillim të cilësisë.