Votohet një prorektore në UP, katër të tjerë mbesin për javën e ardhshme

Dje, senati i Universitetit të Prishtinës ia ka propozuar 5 kandidatë për prorektorë të UP-së Këshillit Drejtues të këtij universiteti.

Rektori i UP-së Naser Sahiti, informoi para senatorëve se kandidatët e propozuar për prorektorë janë: Mimoza Ibrani për mësimdhënie dhe çështje me studentë; Albulena Blakaj për bashkëpunim ndërkombëtar; Mihane Berisha për buxhet dhe financa; Kurtesh Berisha për kërkime shkencore dhe Naser Zabeli për zhvillim të cilësisë.

Kurse, dje Këshilli Drejtues i UP-së ka arritur që të votojë vetëm për njërën prej prorektorëve, Mimoza Ibrani dhe për pjesën tjetër pritet që të votojë javën e ardhshme.

Anëtari i KD të UP-së, Florim Isufi për KALLXO.com ka bërë të ditur se për shkak që mbledhja është mbajtur vonë, propozimet e tjera janë shtyrë për javën e ardhshme.

“Ne kemi pasur një mbledhje të zgjatur pak më tepër për shkak të pak lodhjes, pak që ke vonë dhe e kemi ndërpre me vazhdu në javën e ardhshme. Vazhdojnë diskutimet dhe votimet. Procedura ka qenë më votu për secilin kandidat veç e veç, të parën e kemi kry pastaj e kemi ndërpre, është votuar vetëm Mimoza Ibrani, ka marrë maksimumin e votave dhe s’ka pas asnjë problem, besoj edhe të tjerët ashtu kanë më kalu”, tha Isufi.

Ai mohoi të ketë pasur mospajtime mes anëtarëve të Këshillit Drejtues në lidhje me kandidatët e propozuar.

“Edhe propozimet edhe CV e tyre I kemi analizuar që të gjitha dhe aktivitetet, javën e ardhshme besoj se do të kryhen, s’ka pas asgjë problemet”, shtoi Isufi për KALLXO.com.

Sipas statutit të UP-së, Këshilli Drejtues është organ vendimarrës sa i përket zgjedhjes së prorektorëve, ku për këtë nevojiten 2/3 e anëtarëve të KD-së.

Përzgjedhja e prorektorëve po bëhet pas zgjedhjeve të mbajtura në UP, ku rektor për 4 vite është zgjedhur Naser Sahiti.

Rruga e ish-prorektorit drejt pozitës së rektorit të UP-së