ORCA: Agjencia e Akreditimit të fillojë sa më shpejtë me monitorimin e kolegjeve dhe universiteteve

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka publikuar sot raportin vjetor të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë për Akreditim.

Sipas ORCA-s, gjatë vitit 2021, dy universitete publike dhe pesë kolegje private janë riakredituar, ndërkohë që katër kolegje private, dështuan në procesin e riakreditimit institucional dhe janë gjithsej tetë kolegje që nuk kanë akreditim institucional, pasi që nuk kanë arritur t’i plotësojnë standardet e nevojshme dhe rrjedhimisht nuk mund të regjistrojnë studentë.

Raporti thotë se në universitete publike, kanë akreditim gjithsej 123 programe Bachelor, 92 programe Master, 7 programe të doktoratës dhe 2 programe doktor shkence. Ndërsa në kolegje private janë gjithsej 116 programe Bachelor dhe 58 programe Master.

ORCA ka njoftuar se monitorimi është proces formal që duhet kryer nga Agjencia për Akreditim, përmes të cilit verifikohet nëse institucionet e arsimit të lartë po e vazhdojnë plotësimin e rekomandimeve të ekspertëve të jashtëm dhe po i mirëmbajnë kushtet me të cilat janë akredituar.

“Kjo komponentë e Agjencisë nuk ka qenë aktive as gjatë vitit 2021 dhe mungesa e monitorimit të mirëfilltë nga AKA-ja ndaj institucioneve të cilave iu ka dhënë akreditim, ka qenë evidente ndër vite. Përmes projektit QAINT të financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), Agjencia e Kosovës për Akreditim kishte pranuar draftin fillestar të Metodologjisë së Monitorimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë, i cili është aprovuar  në shkurt të këtij viti”, thuhet në njoftim.

ORCA thotë se Agjencia për Akreditim e ka të domosdoshme rekrutimin e stafit të nevojshëm për proceset administrative të cilat kryhen nga kjo e fundit.

Sipas tyre, monitorimi i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, është njëra ndër komponentat e kësaj agjencie, mungesa e të cilës ka lënë hapësirë për mashtrimin e studentëve nga shumë prej kolegjeve që operojnë në vendin tonë.

“Prandaj është më se e rëndësishme që agjencia të bëj përgatitjet e nevojshme dhe të fillojë sa më shpejtë me monitorimin e këtyre institucioneve, në mënyrë që të bëj parandalimin e lajthitjes së studentëve dhe që të fillojë me marrjen e masave ndaj atyre institucioneve që i tejkalojnë apo thyejnë kushtet përmes të cilave kanë marrë akreditimin institucional dhe për programe”, thuhet më tej.

ORCA po ashtu ka potencuar se është e rëndësisë së veçantë hyrja në fuqi e Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, në mënyrë që procesi i akreditimit të pavarësohet nga ndikimet e tërthorta të ministrave të ndryshëm të arsimit përmes udhëzimeve administrative, siç ka qenë praktikë e qeverisjeve të mëparshme.

“Agjencia duhet të bashkëpunojë me institucionet relevante, për të bërë hulumtimin e tregut të punës, në mënyrë që Këshilli Shtetëror i Cilësisë të bazohet në atë studim kur trajton apo shqyrton aplikimet për akreditim të programeve studimore nga institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë”, thuhet në njoftim.

Sipas ORCA-s, nevojitet angazhim sistematik dhe zinxhiror për rianëtarësimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim në Rrjetin Evropian të Asociacionit për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Vegëza e raportit: http://orca-ks.org/ëp-content/uploads/2022/05/Raporti-monitorimit-KSHC-3.pdf