Seanca e gjykimit të ish-zyrtarëve të Akreditimit - Foto: KALLXO.com

A i Ndryshuan Deklaratat Dëshmitarët Rreth Ryshfetit për Akreditim

Në gjykimin e ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit, Basri Muja e Ferdije Zhushi si dhe Armend Mujës, dëshminë e vazhdoi Veton Sahiti, ish-punëtor në kolegjin ISPE, si dhe u dëgjuan dëshmitarët Ramadan Idrizaj, i cili është drejtor në kolegjin “Rezonanca”, dhe Fortuna Mehmeti, ish-punëtore në kolegjin ISPE, e cila aktualisht punon në pozitën e zyrtares për vlerësim dhe monitorim në Agjencinë Kosovare të Akreditimit – AKA.

Dëshmitari Sahiti u pyet rreth asaj që kishte thënë në seancën e kaluar kur ishte pyetur nga prokurori special Abdurrahim Islami në lidhje me një deklaratë të tij të dhënë më herët në polici, sipas të cilës Avni Mazreku e kishte vënë në dijeni se Basri Muja kishte kërkuar para për akreditimin e programeve.

Dhe më pas në shqyrtim gjyqësor në pyetjen e prokurorit special rreth kësaj deklarate, dëshmitari kishte thënë se ai nuk e di shumën e saktë të parave të cilat Basri Muja i kishte kërkuar Avni Mazrekut por që atij i ishte thënë se këto të holla Muja po i kërkonte si borxh.

Në lidhje me këtë deklaratë të dhënë në polici, sqarime kërkoi edhe mbrojtja e Basri Mujës.

Avokati Bajram Tmava nga dëshmitari kërkoi të dinte saktë nëse Avni Mazreku i kishte thënë se Basriu ka kërkuar ryshfet nga ai apo kishte thënë se i ka kërkuar një shumë të hollave në forme të huazimit.

“Siç kam deklaruar edhe herën e kaluar, Avni Mazreku më ka thënë se Basri Muja më ka kërkuar hua”, u përgjigj dëshmitari Sahiti, i cili tha se siç e di ai, Avni Mazreku këto të holla ia kishte dhënë Basri Mujës.

I pyetur nga avokati Tmava se nëse Avni Mazreku pasi që i kishte dhënë këto të holla Basri Mujës, a i kishte thënë se pasi që kanë dhënë para të gjitha programet do t’u akreditohen, dëshmitari u përgjigj se nuk i kujtohej t’i ketë thënë ndonjë gjë të tillë Avni Mazreku.

Kurse në lidhje me sjelljet e ish-zyrtarëve të AKA-së, dëshmitari tha se mban në mend një rast në një vizitë kur kishin ardhur ekspertët për akreditim ishte shtyrë takimi për shkak që kolegji nuk i kishte vendosur emrat e të pranishmeve në tavolinë dhe ish kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë kishte kërkuar që brenda pesë minutave të vendosen emrat në tavolinë përndryshe do të anulohej vizita e ekspertëve.

Sipas dëshmitarit, sjellja e Basri Mujës e Ferdije Zhushit në atë rast nuk ka qenë korrekte e as profesionale.

http://kallxo.com/deshmitari-mi-kerkuan-20-mije-euro-per-akreditim-te-programeve/

Dëshmitari tjetër Ramadan Idrizaj, drejtor i kolegjit “Rezonanca”, tha se pasi që kolegjit “Biomedica’’ nuk i ishin akredituar programet, studentët të cilët kishin qenë në atë kolegj kishin bërë kërkesë që të transferoheshin në kolegjin “Rezonanca”. Për të njëjtit tha se i kishte sugjeruar që më parë të bënin kërkesë në AKA dhe në Ministri të Arsimit për të marrë pëlqimin e tyre në lidhje me këtë transferim.

Ndërsa sipas prokurorit dëshmitari në deklaratën e tij të dhënë në polici kishte thënë se AKA-ja kishte kërkuar nga kolegji që t’i pranonte këta studentë, andaj e ballafaqoi dëshmitarin me këtë deklaratë të tij të dhënë në polici.

E në lidhje me këtë deklaratë dëshmitari sqaroi se ai pasi që i kishte sugjeruar studentëve që të bënin kërkesë në AKA, Agjencia me qëllim që studentët të mos e humbnin vitin kishte bërë kërkesë në kolegjin “Rezonanca” nëse ishte në gjendje t’i pranonte.

Më tej dëshmitari nga ana e prokurorit u pyet edhe nëse e njihte Naim Brahën dhe nëse i njëjti i kishte kërkuar ndonjë favor atij.

Naim Braha kishte qenë po ashtu i akuzuar për dhënie të ryshfetit por atij i është vjetërsuar lënda.

“Kur jemi takuar në AKA ai më ka pyetur se a i njoh drejtorin dhe punëtorin e Agjencisë. Sigurisht që unë i kam njohur pasi që ne kemi pasur kontakt zyrtar që nga viti 2004, dhe Naimi më ka kërkuar favor që t’i ndihmoj për akreditim, të intervenoj te Agjencia për akreditim të universitetit të Naim Brahës që nuk e di se me kënd e ka pasur pasi që kanë qenë disa bashkëpronarë të cilët nuk i njoh”, u përgjigj dëshmitari Idrizaj i cili po ashtu deklaroi se pas këtij rasti më nuk ishte takuar me Naim Brahën.

Madje dëshmitari kategorikisht mohoi edhe një deklaratë të tij të dhënë në polici në të cilën sipas prokurorit kishte deklaruar se Naim Braha së bashku me Vjosa Zogajn kishin shkuar tek dëshmitari për t’u konsultuar me atë në lidhje me procesin e akreditimit. Në lidhje me këtë deklaratë dëshmitari tha se nuk i kujtohej të ketë thënë një gjë të tillë.

Dëshmitari më tej tha se Naim Braha asnjëherë nuk i kishte kërkuar apo ofruar të holla atij që t’ia jepte Basri Mujës në lidhje me akreditimin e programeve, dhe për Basri Mujën e Ferdije Zhushin tha se të njëjtit asnjëherë nuk i kishin kërkuar të holla në lidhje me akreditimin e programeve. Madje tha se ai për dy vite radhazi nuk kishte mundur që t’i akreditojë disa programe dhe se kishte pasur presion nga AKA-ja që t’i plotësonte kushtet për akreditim.

Dëshmitarin Ramadan Idrizaj, avokati Tmava e ballafaqoi me deklaratën e tij të dhënë në polici, në të cilën pasi që dëshmitari ishte pyetur nga hetuesi policor në lidhje me një përgjim telefonik gjatë të cilit Naim Braha gjatë bisedës me një person tjetër kishte thënë se i kishte dhënë Ramadan Idrizajt shumën prej dhjetë mijë eurosh për t’ia dhënë Basri Mujës në lidhje me akreditimin e programeve, deklaratë për të cilën në atë kohë dëshmitari kishte thënë se nuk është e vërtetë sepse ai atij Naim Braha as nuk i kishte thënë një gjë të tillë e as që i kishte dhënë para.

“A e konfirmoni që e keni thënë një gjë të tillë”, e pyeti dëshmitarin avokati Tmava.

Me këtë rast dëshmitari tha se qëndron pas asaj deklarate të dhënë më herët. Madje dëshmitari tha se ai po të kishte pasur raporte të mira me zyrtarët e AKA-së atëherë vetë atij do t’i akreditoheshin programet, e lërë më të intervenojë për dikë tjetër.

Dëshmitarja tjetër Fortuna Mehmeti, e cila që nga viti 2013 dhe aktualisht punon në AKA si zyrtare për vlerësim dhe monitorim, tha se në kolegjin ISPE kishte punuar që nga viti 2010 e deri në vitin 2013.

http://kallxo.com/avni-mazreku-basri-muja-kerkoi-tia-punesoj-gruan-ne-kolegj/

E pyetur nga prokurori nëse dëshmitarja mbante në mend se nëse pas punësimit të saj në AKA, kishte pasur rast që kolegjit ISPE të mos i akreditohej ndonjë program, dëshmitarja tha se me aq sa mban në mend ajo ka pasur dy programe të cilat i ishin refuzuar kolegjit përkundër rekomandimit pozitiv nga ekspertët e huaj.

Dëshmitarja deklaroi se pos kolegjit ISPE dhe Universum, më pas kishte pasur edhe disa kolegje të tjera të cilat përkundër rekomandimeve pozitive nga ekspertët nuk ishin akredituar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë – KSHC.

Dëshmitarja tha se pas mbledhjes së bordit ku kolegjit ISPE nuk i ishin akredituar disa programe, ajo kishte pranuar SMS jo të këndshëm nga Avni Mazreku, i cili kishte qenë i mllefosur në lidhje me mosakreditimin e këtyre programeve dhe ajo deklaroi se nga ajo kohë më nuk kishte pasur kontakt me Avniun pos atij zyrtar.

Fortuna Mehmeti u pyet edhe në lidhje me punësimin e Albana Leci-Begut për të cilën u tha se është gruaja e djalit të hallës së Basriut. Vetëm pas punësimit në AKA dëshmitarja tha se e kishte kuptuar se ajo kishte lidhje farefisnore me Basri Mujën.

Avokati Bajram Tmava e pyeti dëshmitaren nëse mund të tregonte se cili kishte qenë raporti i kolegjit ISPE me AKA-në para se të mos i akreditoheshin programet, ndërsa dëshmitarja tha se para mosakreditimit të programeve marrëdhëniet kishin qenë normale, por që pas mosakreditimit të programeve kjo marrëdhënie nuk kishte ekzistuar më.

Dëshmitarja Mehmeti në lidhje me draft-raportin sqaroi se ai është një raport preliminar i vlerësimit të cilin ekspertët e hartojnë pas kryerjes së vizitës në institucion, i njëjti i dërgohet institucionit në vlerësim për të dhënë komente.

“Çdo draft-raport që AKA-ja e pranon nga ekipi i ekspertëve për institucionin nën vlerësim detyrohet me udhëzim administrativ me e dërgu tek institucioni për t’i dhënë atyre mundësinë për të ofruar komente, drejtori e dërgon raportin për aprovim në bord dhe nuk merr aprovim vetë, bordi e pranon raportin final të ekspertëve origjinal siç ne e pranojmë nga ekipi i ekspertëve dhe pastaj bordi merr vendim për akreditim apo mosakreditim”, sqaroi dëshmitarja.

Me tutje dëshmitarja sqaroi se bordi është organ vendimmarrës i Agjencisë dhe se Ligji për arsimin e lartë ia lejon kompetencën bordit për vendimmarrje.

“Është në kompetencën e bordit sepse është vendim i tyre për të vendosur ndryshe prej rekomandimit final të ekspertëve. Unë thashë edhe më herët që ka pasur raste që bordi pavarësisht rekomandimit final të ekspertëve nuk ka qenë i bindur për përmbajtjen e raportit apo rekomandimit dhe ka vendosur ndryshe”, deklaroi dëshmitarja duke shtuar se pas mbledhjes çdo vendim i bordit bëhet menjëherë publik.

Kurse avokati i Ferdije Zhushit, Gëzim Kollçaku dëshmitaren e pyeti në lidhje me një komunikatë për media të cilën e kishte dhënë AKA-ja pas mbledhjes në të cilën bordi kishte vendosur për riakretiditim të një programi të kolegjit ISPE.

Lidhur me këtë, dëshmitarja sqaroi se në komunikatën për media kishte qenë një gabim teknik në të cilën në vend të tre viteve ishte thënë se kolegjit i ishte riakredituar programi për pesë vite, por që sipas dëshmitares ka qenë vetëm gabim teknik pasi që në vendim të bordit ka qenë tri vite dhe jo pesë.

Ajo gjithashtu shtoi se sipas saj kryetarja e bordit nuk ka mundur të ushtrojë ndikim në anëtarët e bordit për shkak se ajo ka të drejtën e vetëm një vote, dhe se secili anëtar tjetër i bordit mban përgjegjësi për veprimet e tij, dhe se vendimi merret me shumicë të votave.

Në fund dëshmitarja u pyet nga trupi gjykues që në bazë të njohurive të saj të sqarojë a ka mundësi që një rekomandim i ekspertëve të falsifikohet nga ndonjë anëtar i bordit, gjë për të cilën dëshmitarja tha se nuk është e mundur.

“Jo nuk falsifikohen sepse ato merren nga emaili. Ai raport i dërgohet të gjithë anëtareve të KSHC-së për marrjen e vendimit, nuk mund të falsifikohet sepse të gjithë e kanë. Ai mundet me marrë vendim ndryshe p.sh. anëtari i bordit por jo të ndërhyjë, sepse ai raport lëshohet. Ai u shpërndahet të gjithëve. Në atë email kanë qasje të gjithë zyrtarët e Agjencisë përfshirë drejtorin por jo anëtarët e bordit sepse bordi vetëm e merr vendimin”, u përgjigj në fund dëshmitarja Fortuna Mehmeti.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 11 dhjetor, dhe dëshmitar i radhës do të jetë hetuesi policor Ridvan Obertinca.

http://kallxo.com/ferdije-zhushi-etemi-cakrediton-veten/

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj Agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Arrestohen Ferdije Zhushi- Etemi dhe Armend Muja

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP, u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Për këtë rast i akuzuar ishte edhe Naim Braha që ngarkohej për dhënie të ryshfetit, por Brahës i është vjetërsuar lënda.

Shkrimet e KALLXO.com për këtë gjykim mund t’i lexoni këtu.