Opozita lëshon sallën e Kuvendit

Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë lëshuar seancën e Kuvendit duke kundërshtuar mosvotimin e rezolutës lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Kryetari i grupit parlamentar nga PDK, Abelard Tahiri ka thënë se nuk do të mund të jenë pjesë e seancës dhe ka akuzuar Qeverinë se po ua rëndon jetën qytetarëve.

“Shihet qartë se ju keni një bashkëpunim të ngushtë me ZRrE-në, me kryeministrin Kurti për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës, andaj ju vazhdoni tutje me punimet e Kuvendit dhe vazhdoni tutje me rëndu jetën e qytetarëve. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj maskarade “, ka thënë Tahiri.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje me mosvotim po tregon që është pro shtrenjtimit të rrymës.

“Grupi i mazhorancës me mos votimin tregoi që është pro shtrenjtimit enorm i cili tashmë është tregues i qartë dhe domosdoshmërish duhet në njëfarë forme të ndërprehet. Ne do të përdorim të gjithë mekanizmat demokratik që parandalojnë skajshmërish varfërinë e këtij populli nga mospërgjegjësia e kësaj Qeverie populliste”, ka deklaruar Zemaj.

Kryetari i grupit parlamentar nga AAK, Besnik Tahiri ka deklaruar po ashtu se nuk do të vazhdojë pjesëmarrjen në seancë.

“Ajo çka pamë sot ishte një abstenim që nënkupton votim i pavlefshëm që ka ndodhur të cilin shumë herë e gjykon grupi parlamentar i Vetëvendosjes kur e bëjmë ne si opozitë . Është papërgjegjësi dhe ikje nga besimi qytetarë që ky subjekt politik, kjo Qeveri e ka marrë.  Mos ikni prej përgjegjësisë”, ka thënë Tahiri.

Por Mimoza Kusari-Lila nga LVV duke kundërshtuar opozitën, ka thënë se rezoluta e opozitës nuk u është shpërndarë deputetëve dhe prandaj nuk kanë marrë pjesë fare në votim.