Ilustrim

OKB: Sulmi i Izraelit në kampin e refugjatëve të Gazës mund të përbëjë krime lufte

Forcat izraelite kanë vazhduar së bombarduari territorin palestinez nga toka, deti dhe ajri.

Një tjetër shpërthim tronditi Jabalia, kampin më të madh të refugjatëve në Gaza, të mërkurën, një ditë pasi zyrtarët palestinezë shëndetësorë thanë se një sulm ajror izraelit vrau rreth 50 njerëz dhe plagosi 150 atje. Izraeli pretendon se ka vrarë Muhammad A’sar, komandantin e grupit të raketave të drejtuara antitank të Hamasit, në sulmin ajror të mërkurën.

15 ushtarë izraelitë janë vrarë në mes të luftimeve të ashpra në Gaza, në një seri incidentesh që kanë nënvizuar sfidat në rritje me të cilat përballet IDF në përpjekjet e tyre për të depërtuar më tej në zonat e ndërtuara të Gazës. Humbja më e rëndë e jetërave ndodhi kur një transportues i blinduar i personelit “Namer” u godit rreth mesditës të së martës nga një raketë e drejtuar kundër tankeve, duke vrarë 11 ushtarë dhe duke plagosur disa të tjerë.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka thënë se sulmi ajror i Izraelit në kampin e refugjatëve Jabalia të Gazës të martën mund të përbëjë krime lufte. Agjencia në fjalë tha se ka “shqetësime serioze” duke pasur parasysh “numrin e lartë të viktimave civile dhe shkallën e shkatërrimit” pas sulmeve. Shefi humanitar i OKB-së, Martin Griffiths, tha se sulmet ajrore ishin “vetëm mizoria e fundit që i ndodhi popullit të Gazës” dhe tha se bota “duket e paaftë ose e pavullnetshme për të vepruar”.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se 8,796 palestinezë, përfshirë 3,648 fëmijë, janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi fushatën e tij të sulmeve ajrore dhe inkursioneve. Zyra humanitare e OKB-së ka raportuar se të paktën 123 palestinezë, përfshirë 34 fëmijë, janë vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli që nga 7 tetori.

Komiteti i OKB-së për të drejtat e fëmijëve ka paralajmëruar se shkeljet “e rënda” të të drejtave të njeriut ndaj fëmijëve po shtohen nga minuta në Gaza dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm. “Nuk ka fitues në një luftë ku vriten mijëra fëmijë”, tha Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve në një deklaratë të mërkurën.

Papa Françesku ka deklaruar të mërkurën se duhet një zgjidhje me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën. Kreu i kishës katolike vuri në dukje se Jeruzalemit duhet t’i jepet status i veçantë./The Guardian