OKB, NATO, BE dhe SHBA i bëjnë thirrje Rusisë t’i rikthehet marrëveshjes së grurit të Ukrainës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka deklaruar se forcat e tij kanë zbrapsur një “ofensivë të ashpër” nga trupat ruse në rajonin lindor të Donetskut. “Sot ata ndaluan veprimet e ashpra sulmuese të armikut”, tha Zelenskiy në fjalimin e tij të së dielës mbrëma. “Sulmi rus u zmbraps.” Luftimet më të ashpra në rajonin e Donetskut kanë qenë rreth qyteteve Bakhmut dhe Avdiivka.

Anija kryesore ruse e Detit të Zi, Admiral Makarov, u dëmtua dhe ndoshta u paaftësua gjatë një sulmi të guximshëm ukrainas me dron gjatë fundjavës në portin e Krimesë të Sevastopolit, sipas një ekzaminimi të dia video pamjeve. Hetuesit me burime të hapur informacioni thanë se fregata ishte një nga tri anijet ruse që u goditën të shtunën. Një tufë dronësh goditi marinën ruse në orën 04:20 të mëngjesit. Ndihmësit e Zelenskiy-t lanë të kuptohet se vendi qëndron pas bastisjes së mirë-orkestruar, megjithëse qeveria e tij nuk e ka marrë përgjegjësinë.

Në vazhdën e sulmit të Sevastopolit, Kremlini tha se po tërhiqet nga një marrëveshje drithi e ndërmjetësuar nga OKB-ja, që i lejon anijet civile të eksportojnë drith dhe plehra nga portet e Detit të Zi. Rusia pretendon se nuk mund të “garantojë sigurinë e anijeve civile” që udhëtojnë sipas paktit pas sulmit në flotën e saj në Detin e Zi. Zelenskiy, megjithatë, tha se Moska po kërkon një pretekst për t’i dhënë fund nismës. Moska zyrtare e ka “përkeqësuar qëllimisht” krizën e ushqimit që nga shtatori, tha ai në një videoadresë .

Komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar vendimin e Rusisë për ta pezulluar nismën e drithit të Detit të Zi të ndërmjetësuar nga OKB. Presidenti i SHBA Joe Biden e përshkroi këtë vendim si “thjesht të egër”, ndërsa sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se Rusia po e armatizon ushqimin. Bashkimi Evropian i bëri thirrje Rusisë ta anulojë vendimin e saj. “Vendimi i Rusisë për ta pezulluar pjesëmarrjen në marrëveshjen e Detit të Zi vë në rrezik rrugën kryesore të eksportit të grurit dhe plehrave shumë të nevojshme për ta trajtuar krizën globale të ushqimit të shkaktuar nga lufta e saj kundër Ukrainës”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha se është “thellësisht i shqetësuar” nga pezullimi i marrëveshjes nga Rusia dhe vonoi nisjen e tij për të marrë pjesë në samitin e Ligës Arabe në Algjer për një ditë në përpjekje për ta ringjallur atë. Rusia kërkoi një takim të hënën të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar këtë çështje. Guterres është i angazhuar në “kontakte intensive” për ta rikthyer marrëveshjen dhe foli me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell.

Kombet e Bashkuara, Turqia dhe Ukraina thanë se do të vazhdojnë përpara për të zbatuar një marrëveshje për drithërat e Detit të Zi me një plan tranziti për 16 anije të hënën, pavarësisht se Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në pakt. OKB-ja, NATO-ja, BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar të gjitha Rusisë që të anulojë vendimin e saj për t’u tërhequr nga marrëveshja. Në një deklaratë, Qendra e Përbashkët e Koordinimit (JCC) në Stamboll, ku po punon personeli rus, ukrainas, turk dhe i OKB-së, tha se të tri delegacionet kanë rënë dakord gjithashtu që të hënën t’i jepeshin inspektime 40 anijeve në dalje.

Ministria e infrastrukturës së Kievit tha të dielën se 218 anije tani janë “bllokuar në mënyrë efektive” në portet e tij – 22 të ngarkuara dhe të ngecura në porte, 95 të ngarkuara dhe të nisura nga portet dhe 101 në pritje të inspektimeve.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, shprehu “shpresën” se Joe Biden do ta përkujtojë krizën e raketave kubane të vitit 1962 kur të merret me luftën në Ukrainë. Në një intervistë për një dokumentar televiziv shtetëror rus të dielën, Lavrov tha se ka “ngjashmëri” midis luftës së vazhdueshme në Ukrainë dhe konfrontimit të vitit 1962. “Shpresoj që në situatën e sotme, presidenti Joe Biden do të ketë më shumë mundësi për të kuptuar se kush jep urdhra dhe si”, tha Lavrov. “Dallimi është se në vitin e largët 1962, Hrushovi dhe Kenedi gjetën forcën për të treguar përgjegjësi dhe mençuri, dhe tani ne nuk shohim një gatishmëri të tillë nga ana e Uashingtonit dhe satelitëve të tij,” shtoi ai./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala