OJQ-të: Anëtarët e Këshillit Drejtues kanë iniciuar shkarkimin e rektorit të UP-së, Naser Sahitit

Anëtarët e Këshillit Drejtues, si nga radhët e Universitetit të Prishtinës ashtu edhe ata të emëruar nga Ministria e Arsimit, kanë iniciuar shkarkimin e rektorit të UP-së, Naser Sahitit.

Kështu po pretendon një grup i organizatave joqeveritare, të cilat kanë dalë në përkrahje të rektorit.

“Së fundmi, pa u zgjidhur problemi i anëtarit të Këshillit Drejtues, i cili është denoncuar publikisht për plagjiaturë, anëtarët e Këshillit Drejtues, si nga radhët e Universitetit të Prishtinës, ashtu edhe ata të emëruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë inicuar shkarkimin e rektorit të UP-së prof. dr. Naser Sahiti, pa dhënë asnjë shpjegim për arsyet” – thuhet në reagimin e OJQ-ve Admovere, Balkan Art Zone, Çohu, DokuFest, EC Ma Ndryshe, EcoZ, ETEA, GERMIN, Iniciativa për Histori Gojore/ Oral History Initiative, Junior Chamber International, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF, Qendra Kosovare për Arsim – KEC, Kino ARMATA, Lëvizja FOL, OJQ ZANA, Syri i Vizionit, Shkëlzen Gashi, Shoqata e Intelektualëve të Pavarur në Deçan, TOKA.

Në reagimin e tyre, këto organizata theksojnë se janë dëshmitarë se asnjë skandal nuk është raportuar që nga zgjedhja e prof. dr. Naser Sahitit në pozitën e rektorit.

“Përkundrazi, organizatat monitoruese të arsimit të lartë para pak kohësh kanë theksuar avancimin e transparencës në Universitetin e Prishtinës gjatë mandatit të tij” – thuhet tutje në reagim, teksa bëjnë thirrje kundër shkarkimit të rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka siguruar rendin e ditës të mbledhjes së ardhshme të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Në rend dite është edhe vlerësimi i performancës dhe përmbushjes së detyrave të menaxhmentit të lartë sipas përcaktimeve të ligjeve dhe statutit në fuqi, dhe vendosja për përgjegjësinë institucionale sipas gjetjeve të KD-së.