Organizatat studentore kërkojnë zgjedhje të përgjithshme në UP, pas aktivitetit gjobiten nga Policia

Disa organizata studentore sot kanë kërkuar zyrtarisht që Ministria e Arsimit që të shpallë zgjedhjet e përgjithshme në Universitetin e Prishtinës.

Organizatat Unioni Demokratik Studentor, Unioni i Studentëve Proeuropian, Opinioni i Pavarur Studentor dhe Paqja Studentore (UDS-USPE-OPS-PS), kanë dalur para objektit të Ministrisë së Arsimit me disa pankarta në dorë me mbishkrime “Stop politizimit të UP-së”, “Zgjedhjet e përgjithshme shpëtimi i UP-së”, “Duam udhëheqësi dinjitoze stop plagjiatorët”, etj.

Festim Tasholli në emër të organizatave ka thënë në një prononcim para mediave se përbërja e Këshillit Drejtues është e jashtëligjshme. Kurse shtoi se u është mohuar e drejta e votimit në Senatin e UP-së.

“Neve na është mohuar e drejta e votimit në Senatin e UP-së, ku është shkelur edhe neni 44 i statutit të UP-së, ku kanë hyrë për të votuar senatorët e rinj e që realisht mandati tyre fillon me 1 tetor të atij viti” – tha Tasholli, duke shtuar se kjo përbërja e Këshillit Drejtues është e jashtëligjshme.

Tasholli ka treguar edhe arsyet për të cilat i janë drejtuar ministres për këtë kërkesë e jo Këshillit Drejtues.

“I jemi drejtuar ministres me këtë kërkesë dhe jo Këshillit Drejtues është se ne nuk e njohim atë Këshill Drejtues sepse është zgjedhur në mënyrë të jashtëligjshme” – shtoi ai.

Përfaqësuesi e organizatave, Festim Tasholli, ka njoftuar se pas dorëzimit të kërkesës brenda ministrisë janë gjobitur edhe nga policia.

“Ne e dorëzuam kërkesën në arkivin e Ministrisë së Arsimit, pastaj erdhën edhe Policia e Kosovës, ku na njoftuan se na është shqiptuar nga një tiketë për moslajmërimin e konferencës” – tha Tasholli.

Ai tha se organizatat kishin vetëm konferencë për media për të treguar arsyen pse po e dorëzojnë kërkesën dhe asgjë më shumë.