Mbledhja e Këshillit Drejtues të UP më 29.02.2024

Profesorët që kanë shkelje etike në tre vitet e fundit nuk do të mund të zgjidhen në pozita udhëheqëse në UP

Me pesë vota për, dy kundër dhe një abstenim, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës të enjten më 29.02.2024 ka votuar rregulloren për zgjedhjen e personelit akademik të UP-së me disa ndryshime.

Ndërsa, me pesë vota për, tri abstenime, dhe asnjë kundër, Këshilli Drejtues ka vendosur që profesorët të cilët synojnë të kenë pozita udhëheqëse në UP, mirëpo që kanë shkelje etike në tri vitet e fundit, nuk do të kenë të drejtë të zgjidhen në këto pozita.

“Nuk kanë të drejtë të zgjidhen në pozitat: rektor, prorektor, anëtar/e e Senatit, anëtarë/e e këshillit të fakultetit, dekan dhe prodekan, të gjithë ata/ato që janë të dënuar për kryerjen e veprës penale me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe që kanë të shqiptuar masë disiplinore nga organet kompetente të universitetit, në tre vjetët e fundit, përfshirë masat e shqiptuara nga Këshilli i Etikës për personelin akademik” – është propozuar në rregulloren e votuar sot.

Në këtë mbledhje është folur edhe për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit të fakultetit nga radhët e profesorëve.

Të gjitha ndryshimet që janë bërë në rregulloren për zgjedhjen e personelit akademik të UP-së do të bëhen të ditura sapo kjo rregullore të nënshkruhet nga Këshilli Drejtues.