Organizatat studentore: Zgjedhjet e përgjithshme në UP, të nevojshme për situatën aktuale

Organizatat Unioni Demokratik Studentor, Unioni i Studentëve Proeuropian, Opinioni i Pavarur Studentor dhe Paqja Studentore (UDS-USPE-OPS-PS), kanë mbajtur konferencë para zyrës së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, pas shkarkimit të rektorit Naser Sahiti.

Arber Gecaj, në emër të organizatave deklaroi se janë të shqetësuar lidhur me zhvillimet e fundit në UP.

Sipas tij, ndërhyrjet e politikës në organe të UP-së janë të patolerueshme.

“Duam të shprehim shqetësimin tonë të thellë me zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. Ndërhyrjet e klaneve dhe politikës në Organet e ndryshme të UP-së në format më të ulëta të mundshme janë të patolerueshme”- tha ai.

Gecaj shtoi se në zgjedhjet për Këshillin Drejtues të UP-së që u mbajtën në qershor, nuk u është lejuar pjesëmarrja në votim.

“Në qershor të këtij viti u mbajtën zgjedhjet për anëtarët e rinjë të Këshillit Drejtues të UP-së. Ne si Organizata studentore përfaqësoheshim me 7 studentë senatorë në Senatin e UP-së, pra kishim 7 anëtarë me të drejtë vote. Në ditën e votimit për shkak të kalkulimeve të klaneve të ndryshme të sponsorizuara nga Ministria e Arsimit, nuk na u lejua të marrim pjesë në procesin e votimit” – tha ai.

Sipas tij, kjo ishte bërë në emër të një opinioni pa vendim nga u.d i sekretarit të UP-së, Besfort Krasniqi.

“E gjitha kjo u bë në emër të një “opinioni” (pa ndonjë Vendim të bazuar në Statutin e UP-së) nga u.d. i sekretarit të UP-së, zt. Besfort Krasniqi, i cili konkludoj që megjithëse ne kishim mandat deri me 30 shtator 2022 në atë mbledhje duhej të ftoheshin studentët të cilët e fillojnë mandatin nga data 1 tetor 2022. Në shenjë proteste ne kemi qëndruar në shkallët e ndërtesës së rektoratit për të shprehur pakënaqësinë tonë lidhur me cungimin e mandatit tonë”.

Gecaj potencoi se me kërkesë rë ish rektorit Sahiti, janë  larguar me forcë nga njësitet e policisë.

“Me kërkesë të tashmë ish-rektorit Prof. Naser Sahiti, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës na larguan me forcë për ta mundësuar votimin e personave pa asnjë vlerë akademike në krye të organit më të lartë të UP-së.”

“Ne nuk e sulmuam askënd por protestuam paqësisht, kërkuam vetëm të drejtën tonë e cila u mohua nga Senati i UP-së dhe ish rektori Sahiti”.

Ai pretendon se i kanë futur dhunshëm 7 studentë senatorë të organizatës Studim Kritikë Veprim që kontrollohet nga LVV.

“Dhunshëm i futën 7 studentë senatorë të organizatës Studim Kritikë Veprim e kontrolluar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe organizatës së tyre partnere Reforma në Proces. E gjitha kjo me misionin e vetëm që në krye të Universitetit të Prishtinës të zgjidhen plagjiatorë e militantë partiakë”.

Ai shtoi se pikërisht këta 20 ditë pasi morën detyrën, shkarkuan rektorin dhe zgjodhën u.d një person politik.

“Pikërisht ata që u zgjodhën me votën e senatorëve, 20 ditë pasi e marrin detyrën shkarkojnë rektorin e zgjedhin u.d. rektor një person politik për të plotësuar në plotëni kapjen e universitetit”.

Arbër Gecaj tutje potencoi se UP po degradohet e fajtorë për këtë, sipas tij, janë senati dhe ish-rektori Sahiti që solli persona jomeritor në krye të UP.

“Universiteti i Prishtinës po degradohet më shumë se kurrë më parë. Sot, kur flitet për UP-në si imazh i parë janë plagjiatorët, pra profesorët vjedhës e profesorët që kanë probleme bazike në formulim të fjalisë. Fajtorët kryesor janë Senati i UP-së që me votën e tyre zgjodhën përbërje të tillë të KD-së dhe fajtori tjetër është pikërisht ish-rektori Sahiti i cili përmes cungimit të mandatit tonë i solli pikërisht jomeritorët në krye të UP-së”.

Situatë të ngjashme, sipas Gecajt, Universiteti i Prishtinës ka pasur edhe në vitin 2015, kur Këshilli Drejtues me votat edhe të anëtarëve nga Ministria e Arsimit shkarkoj rektorin e atëhershëm.

“Ministria e Arsimit atë kohë e ktheu në detyrë rektorin si dhe shkarkoj anëtarin e saj në KD. Për të ndalur luftën e egër të klaneve të brendshme, ministri i atëhershëm i arsimit e dërgoj në zgjedhje të jashtëzakonshme Universitetin e Prishtinës, shtoi ai.

Sipas Gecajt, në këtë situatë, zgjidhja e vetme është zgjedhjet e përgjithshme në Universitet.

“Sot, kur kemi në njerën anë përbërje të Senatit që zgjedh anëtar skandaloz e politik të Këshillit Drejtues e në anën tjetër emërimin e kushërirës së Presidentes si u.d. e rektorit (e cila nuk as edhe një citim), zgjidhja e vetme është ajo e vitit 2015- zgjedhjet e përgjithshme në universitet ”

“Universiteti ka nevojë për formatim te përgjithshem sepse virusi i saj janë plagjiatorët, jomeritorët, analfabetët e studentët e kontrolluar nga politika. Tashmë është momenti i fundit që Universitetit t’i rikthehet funksionimi normal e ta ndalim shkatërrimin total të tij”, potencoi Arbër Gecaj.

Të premten me 21 tetor, pas shkarkimit të rektorit Naser Sahiti, Këshilli Drejtues i Univesitetit të Prishtinës emëroi Luljeta Plakolli Kasumi në pozitën e ushtrueses së detyrës së rektores së UP-së.

Luljeta Plakolli Kasumi emërohet U.D. e rektores së UP-së