Nuk ka kuorum për anulimin e konkursit për Sekretar të Universitetit të Prishtinës

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në mbledhjen e sotme nuk pati kuorum që ta anulojë konkursin për Sekretar të Përgjithshëm të UP-së.

Kjo pasi katër anëtarët e Këshillit Drejtues nga Universiteti i Prishtinës, Bedri Bahtiri, Naser Kabashi, Florim Isufi dhe Kemajl Bislimi nuk morën pjesë në këtë mbledhje.

Prezent në mbledhje të Këshillit Drejtues ishin anëtarët nga Ministria e Arsimit, kryesuesja Arbëresha Nela Turjaka, Altin Sahiti, Hajrullah Koliqi, Arta Shehu Zaimi si dhe anëtarja nga UP, Alberta Troni.

Por për votim duhen 6 vota.

Kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së, Arbëresha Nela Turjaka tha se anëtarët nga UP kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këtë mbledhje pasi po zhvillohen zgjedhjet për anëtarë të Këshillit Drejtues nga UP, por sipas saj kjo nuk do të duhej të ishte arsye për mospjesëmarrje në mbledhje kur ka pika të rëndësishme të ditës.

Nënkryetari i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti tha se një përgjigje e MPB-së që konkursi i brendshëm i UP-së është i jashtëligjshëm do të duhej të votohej në këtë mbledhje dhe sipas tij mospjesëmarrja e anëtarëve nga UP është e papranueshme.

Ai kërkoi që rektori i UP-së, Naser Sahiti, ta anulojë këtë konkurs, por rektori tha se është kompetencë e Këshillit Drejtues të vendos dhe pastaj të veprojë ai.

Kështu mbledhja e Këshillit Drejtues të UP-së u përfundua pa e trajtuar asnjë pikë të rendit të ditës duke përfshirë, raportin e auditorit për vitin 2021, raporti për gjendjen e Fakultetit të Bujqësisë, zgjedhjet studentore dhe cështja e sekretarit të përgjithshëm të UP-së.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës për intepretimin e MPB-së për pozitën e Sekretarit të UP.

MPB thotë se konkursi për Sekretar të UP-së duhet të ishte i hapur