Nxitja e punësimit në veri, Qeveria subvencionon për gjashtë muaj 70% të pagës bruto të secilit të punësuar

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka vendosur ta mbështesë punësimin e qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke e subvencionuar për gjashtë muaj, 70% të pagës bruto të secilit të punësuar, në maksimumin prej 350 eurove.

“Për të përfituar nga kjo masë, punëkërkuesit duhet të jenë të regjistruar si të tillë në zyrën e punësimit në komunën e tyre përkatëse, të jenë mbi moshën 18 vjeç si dhe të jenë banorë në njërën nga katër komunat veriore. Ndërsa, punëdhënësit gjithashtu duhet të jenë me bazë në njërën nga katër komunat veriore si dhe të jenë duke funksionuar në mënyrë të rregullt ashtu siç parashihet përmes legjislacionit të Kosovës”- thuhet në komunikatën për media të lëshuar me 12.02.2024.

MFPT ka përkujtuar se nga përkrahja përmes skemës “Qeveria për Familjet” deri tani kanë përfituar 2,600 familje në katër komunat e veriut të Kosovës.

“Kujtojmë se përkrahja përmes skemës “Qeveria për Familjet” filloi duke subvencionuar pagën për anëtarët e familjeve që nuk kishin asnjë të punësuar, ku deri më tani kanë përfituar mbi 2,600 familje, përfshirë këtu edhe qytetarët në katër komunat veriore. Më pas, përkrahja u zgjerua për viktimat e dhunës në familje”- thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.