Foto: Islam Berisha, KALLXO.com

Nuk kalon rezoluta e PDK-së për uljen e çmimit të rrymës, 55 deputetë abstenuan

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar rezolutën në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

Pro kësaj rezolute votuan 29 deputetë, ndërsa 55 abstenuan.

“29 vota për, asnjë kundër, 55 abstenime. Konstatoj që Kuvendi nuk e miraton rezolutën në lidhje me çmimet dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët”- tha nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Kjo rezolutë ishte prezantuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa debati i thirrur për këtë çështje ka zgjatur mbi 4 orë në seancën e mbajtur disa ditë më parë.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala kur kishte prezantuar rezolutën në Kuvend kishte deklaruar se për dy vite çmimi i rrymës është rritur disa herë, përkundër ankesave të qytetarëve.

“Çmimi u rrit për 100% për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kw orë energji. Siç dihet pas pezullimit të vendimit nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ishte Gjykata Supreme që i hapi rrugë zbatimit të vendimit për shtrenjtim. Shtrenjtimi nga ZRRE dhe e Qeverisë me vendimin e mësipërm u konsiderua i pamjaftueshëm. Politika e subvencionimit ishte e përkohshme dhe e pamjaftueshme  për të adresuar shqetësimet e mëdha për gjendjen e krijuar”- kishte thënë Shala në seancën e kaluar.

PDK prezanton rezolutën për uljen e çmimit të rrymës, këto janë rekomandimet