Pika kufitare në Jarinjë, Foto: KALLXO.com
Njoftimi i Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar: Është normalizuar qarkullimi në pikat kufitare me Serbinë
Qarkullimi në pikë-kalimet kufitare me Serbinë është normalizuar, njofton Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK).
Ky njoftim i QKMK-së vjen pasi situata në pikën kufitare në Jarinjë është e qetë, pas protestës së mbajtur nga një grup në territorin e Serbisë.
“Njoftohen të gjithë qytetarët se është normalizuar qarkullimi në PKK me Serbinë. Ju falënderojmë për mirëkuptim dhe bashkëpunim! Nëse keni nevojë për informim shtesë kontaktoni numrat e telefonit në QKMK 045198000, 045198606 dhe pa pagesë 080050095” – thuhet në njoftimin e QKMK-së, më 25.04.2024.
Ndërsa, më 24.05.2024 QKMK u bëri thirrje qytetarëve që t’i shmangin pikë-kalimet me Serbi, për shkak të një paralajmërimi për protestë në Serbi, përkatësisht në zonën afër pikë-kalimit kufitar me Kosovën, në Jarinjë.
KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës se protesta e paralajmëruar në territorin e Serbisë, afër pikë-kalimit kufitar të Jarinjës, ka nisur rreth orës 14:00.
Policia serbe ka bërë përgatitjet paraprakisht për të mos lejuar që grupi edhe pse një ore pasi që ishte paralajmëruar protesta nuk u panë në numër të madh të mos kalojnë përmes pikës kufitare në Jarinjë.
Në anën tjetër pika kufitare ka vazhduar të jetë e qetë dhe kohë pas kohe qarkullonin vetura e maune.
Policia e Kosovës kishte bërë përgatitjet dhe ishte pozicionuar në vendkalimin kufitar në Jarinjë. Në afërsi të kësaj pike ka vazhduar monitorimi edhe nga EULEX.
Në pamjet që janë publikuar në rrjetin social “Telegram” është parë një numër i vogël i protestuesve të cilët mbanin pankarta e flamuj.
Në pankarta shkruhej “Kosova nuk është kavanoz për t’u thyer”, “Patriarkana e Pejës”.