Njëri nga mjekët e arrestuar në Vushtrri, lirohet në procedurë të rregullt

Tre mjekë nga Vushtrria po dyshohen se janë përfshirë në një rast të “Marrjes së ryshfetit”.

Dy nga ta janë arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës e më pas janë ndaluar për 48 orë, ndërsa njëri prej tyre nuk është arrestuar ende.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni ka thënë për KALLXO.com se ndaj njëri prej të dyshuarve është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

“Për njërin person të ndaluar, me iniciale E.S., Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, dhe seanca pritet të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. I ndaluari tjetër me iniciale A.L., është liruar dhe për të njëjtin do të vendoset në procedurë të rregullt” – ka thënë ai.

Tutje zëdhënësi ka treguar se personi i tretë për këtë rast me iniciale I.Z., nuk është intervistuar ende pasi që ai ende nuk është arrestuar.

Prokuroria ka thënë se prokurori i Shtetit ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të arrestojë edhe të dyshuarin e tretë, po ashtu mjek në spitalin e Vushtrrisë, me iniciale I.Z..

“Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të lëshohet vendimi për ndalim prej 48 orësh, po ashtu edhe për këtë të dyshuar do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së sigurisë” – u tha tw martwn nga Prokuroria e Shtetit.

Dy mjekët u arrestuan dje nga Njësia Rajonale për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, i cili ka thënë se edhe një person i tretë mbetet në kërkim policor.

“Janë arrestuar dy persona me dyshimin e bazuar për marrje ryshfeti, përderisa personi i tretë mbetet në kërkim policor. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë” – ka thënë Kelani.

Lidhur me rastin, dje gjatë ditës është deklaruar edhe Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri.

Nga ana e spitalit është thënë se dy doktorë e arrestuar dhe i treti që është në kërkim, pas pretendimeve se të njëjtit janë përfshirë në një aferë korruptive, janë suspenduar nga puna.

“Në këtë rast, do të veprojmë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe me këtë rast dr. I. Z. shkarkohet nga pozita u.d shef i Repartit dhe suspendohet nga puna, po ashtu edhe dr. E. S. dhe dr. A. L. suspendohen nga puna deri në një vendim të ri” – thuhet në njoftimin e spitalit “Sheikh Zayed”.

Gjithashtu, spitali ka treguar se një doktor tjetër është telefonuar për t’u dorëzuar në polici dhe ndaj të njëjtit është marrë vendimi që të shkarkohet nga ushtruesi i detyrës së shefit të repartit në spital.

Së fundmi mediat raportuan për përfshirjen e tre mjekëve në një aferë të korrupsionit. Ndërsa, për rastin reagoi edhe Ministria e Shëndetësisë.

Dikasteri që drejtohet nga Arben Vitia premtoi se do të bashkëpunoi me organet e hetuesisë për të adresuar pretendimet e raportuara nga mediat.

Në njoftimin e këtyre të fundit u tha se së bashku me ShSKUK janë në dispozicion të organeve të hetuesisë në mënyrë që procesi i hetimeve të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë, dhe njëkohësisht përmes mekanizmave brenda institucioneve, u tha se ditëve në vijim do të ndërmerren të gjitha masat e parapara ligjore.