Shiriti i Policisë, FOTO-Ilustrim
Një person dërgohet pa shenja jete në spital dhe me kokë të lënduar, policia flet për rastin
Një person është dërguar në Spitalin e Gjakovës pa shenja jete. Të njëjtin e kishin dërguar në spital djali dhe vëllai i tij.
Zëdhënësi i Policisë së Gjakovës Nysret Xhurkaj ka thënë për KALLXO.com se me të marrë informacionin i janë përgjigjur rastit.
Sipas mjekut kujdestar, viktima ishte dërguar në spital pa shenja jete ndërsa kishte pasur një lëndim në kokë.
“Dëshmitarët – familjarët e viktimës kanë deklaruar se të njëjtin e kanë gjetur të shtrirë në oborr poshtë ballkonit të katit të parë nga dhoma e fjetjes (në lartësi rreth 3 metra). Në vendngjarje (shtëpinë e viktimës) kanë dalë patrullat policore. Sipas familjarëve nuk ka pasur telashe me askënd dhe nuk kanë dyshime në dikë”, tha Xhurkaj për KALLXO.com.
Xhurkaj tutje shtoi se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij rreth orës 11:20 trupi i pajetë është tërhequr nga Mjekësia Ligjore për t’u dërguar në obduksion.
Viktima dyshohet se është e moshës 50 vjeçare nga fshati Lipovec.