(Arkiv) Policë të Kosovës në veri të Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Nis zvogëlimi i pranisë së Policisë në veri të Kosovës

Policia e Kosovës ka nisur t’i reduktojë trupat policore në veri të vendit, pas pranimit të vendimit të Qeverisë.

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, ka konfirmuar për KALLXO.com se vendimi qeveritar ka nisur të implementohet.

“Pas pranimit të vendimit të Qeverisë nga ana e menaxhmentit të Policisë, i njëjti është dërguar në terren për ekzekutim. Vendimi i Qeverisë së Kosovës ka filluar të implementohet”- tha ai.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë marrë vesh për hapat për shtendosjen e situatës në veri.

Në një përgjigje për KALLXO.com, BE thotë se ata janë dakorduar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot përmes një postimi në Twitter ka njoftuar se si do të zbatohet në dy javët në vazhdim dakordimi i Bratisllavës, për shtendosjen e situatës në veri, që u arrit mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, të hënën.

Sipas kalendarit të publikuar nga kryeministri, në javën e parë parashihet që Qeveria e Kosovës të shpallë publikisht gatishmërinë për të punuar në drejtim të shtendosjes së situatës, duke përfshirë reduktimin e menjëhershëm për 25% të prezencës së policëve brenda dhe rreth ndërtesave komunale.

“Qeveria e Kosovës shpall publikisht gatishmërinë e saj për të punuar në drejtim të shtensionimit të situatës si dhe për të mos ndërmarrë hapa që mund të eskalojnë situatën në veri të vendit. Kjo përfshinë reduktimin e menjëhershëm për 25% të prezencës së policëve që gjenden brenda dhe përreth ndërtesave komunale”- thuhet në kalendarin e publikuar nga kryeministri Kurti.

Si vazhdimësi e javës së parë, theksohet që Policia e Kosovës të kryejë rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in.

Kurti publikon kalendarin dhe planin për shtensionimin e situatës në veri