Nis zbatimi i projektit të binjakëzimit mes Zyrës së Auditimit të Kosovës dhe Polonisë

Zyra Kombëtare e Auditimit në Kosovë është binjakëzuar me institucionin homolog në Poloni.

Në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë është mbajtur konferenca e hapjes së projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë”, projekt ky me vlerë prej 700 mijë euro i cili pritet të realizohet brenda 18 muajve.

Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës tha se duan që të përparojnë në raport me zbatimin e standardeve të auditimit dhe të ndihmojnë edhe Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane.

“Sigurisht e falënderoj BE-në që e kanë përkrahë ftesën tonë. Polonia na ka mundësuar  që ne për herë të parë të auditojmë dhe raportojmë për një numër të caktuar të ndërmarrjeve publike. Shkëmbimi profesional i përvojave të auditorëve tonë me evropianë na siguron që jemi të barabattë dhe kompetentë në dijen që e kemi për interes të publikut. Ky projekt na siguron qe qëllimet tona në planin strategjik po zbatohen me sukses”, theksoi ai.

Kurse, kryetari i Zyrës Supreme të Auditimit  në Poloni, Marian Banas tregoi përshtypjet e tij për vizitën e parë në Kosovë.

“Në Kosovë jam për herë të parë kam ndjerë një atmosferë të mire të këndshme dhe simpatikë. Kosova është e vendosur në male dhe i kuptoj kushtet e jetesës në male, duhet të përballesh me natyrën. Por pavarësisht kësaj mbase falë kësaj njerëzit nga malet, malësorët janë një lloj i veçantë i njerëzve. Shpirti luftarak, lidhja me familjen janë disa nga karakteristikat. Kam menduar se është shumë simbolik fakti qe medalja e parë olimpike që ka marr Majlinda Kelmendi është pikërisht në xhudo. Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova ka thënë se Kosova është një vend i vogël por i pasur më pasuritë që i ka dhenë Zoti”, tha ai.

Banas foli edhe per aspektin e rëndësisë së profesionalizimit në auditime.

“Ne jemi pjesë e aparaturës shtetërore nga efektiviteti i të cilës varet nëse shteti do të funksionojë në mënyrë të zhdërvjellët.  Duhet të hartojmë një mekanizëm monitorimi se si zbatohen rekomandimet tona. Jemi të nderuar që Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ëpr herë të dytë na zgjedh si partner në këtë projekt të bashkëpunimit. Do të ju ofrojmë ekspertët më të mirë, do të provojmë të ju mbështesim në ato sfera ku e konsideroni si më të nevojshme, u shpreh ai.

Në anën tjetër, Hillen Francke, zëvendës kryesuese e Bashkëpunimit nga Zyra e BE-së në Prishtinë tha se institucionet funksionale paraqesin shtyllat e veprimit si duhet të aspektit financiar.

“Ne kemi ndihmuar në themelimin e institucionit të Auditimit në vitin 2013, pasi kjo është tejet e rëndësishme për integrim evropian. Qëllimi është të fuqizohet transparenca e llogaridhënia e entiteteve qeveritare. Është rritur numri i zyreve publike të auditimeve nga 4 në 12 për qind. 1000 rekomandime për auditime janë dhënë vitin 2017. ZKA është prej institucioneve më besimin më të lartë të qytetarëve. Shkalla e zbatimit të rekomandimeve kërkohet që të rritet”, theksoi ajo.

Edhe Ilir Salihu, zëvendës auditor i Përgjithshëm dhe udhëheqës i projektit nga pala kosovare tha se janë të interesuar të shtrijnë ndikimin pozitiv te institucionet publike.

“Për të ndodhë kjo duhet të ngrisim kapacitetin dhe cilësinë e punës tonë. Besojmë qe përmes këtij projekti do të arrijmë një nivel evropian të punës dhe cilësisë”, tha ai.

Projekti i Binjakëzimit do të financohet nga Bashkimi Evropian dhe do të zbatohet nga Zyra Supreme e Auditimit të Polonisë me mbështetjen edhe të kolegëve ekspertë nga Institucionet Supreme të Auditimit të Kroacisë, të Republikës së Çekisë, të Letonisë, të Lituanisë dhe të Portugalisë.

Objektiva specifike e projektit është që ta mbështes Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të saj në realizimin e qëndrueshëm të objektivave të misionit të vet sipas Standardeve Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA) dhe rritjen e ndikimit të saj përmes komunikimit të intensifikuar me qytetarët, Parlamentin dhe palët tjera të interesit.