Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL

Nis takimi Bislimi - Lajçak në Bruksel

Ka filluar në Brukesl takimi i zëvendëskryeministrit për dialog Besnik Bislimi me emisarin Mirosllav Lajçak.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se fokusi i takimit do të jetë zbatimi i plotë i marrëveshjes së 27 shkurtit dhe hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

“Nesër, emisari Mirosllav Lajçak do të presë kryenegociatorët e të dyja palëve në kuadër të dialogut të lehtësuar në Bruksel. Fokusi do të jetë zbatimi i plotë i Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe hapat drejt shtendosjes së situatës në veri të Kosovës”- ka shkruar Stano në Twitter.

Ky takim vie pas dakordimit të javës së kaluar të cilin e arriti zëvendëskryeministri Bislimi me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak në Bratisllavë të Sllovakisë.

Dakordimi nënkupton zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.BE dhe SHBA kanë kërkuar shtendosje të situatës, tërheqje të Policisë së Kosovës nga objektet komunale si dhe zgjedhje të reja në komunat veriore.