Kënga e këngëtarit Ledri Vula - pjesë e studimit të Bardh Rugovës

Gjuhëtari nga Akademia e Shkencave të Kosovës, Bardh Rugova, ka thënë se në kohën kur e ka bërë një studim dhe shembull e ka pasur tekstin e këngës “Thirrëm qysh dush”, të këngëtarit Ledri Vula, kënga i ka pasur 15 milionë klikime.

Ai ka shtuar se as Akademia e Shkencave e as ai vetë nuk mund t’i bëjnë as 3 mijë klikime, përderisa këngëtari Vula për një kohë aq të shkurtër i ka pasur 15 milionë.

“Tek libri im i fundit e kam tekstin e Ledri Vulës. Pasi e qes tekstin them pe paramendoj Kostallarin (gjuhëtarin) me një laps të kuq duke i nënvizuar gabimet gjuhësore edhe një ministër duke thënë se qysh na e prishën gjuhën, qysh na e prishën krejt këtë punë. Në kohën kur e kam bërë studimin ajo këngë i ka pasur afër 15 milionë klikime, s’e di sa i ka tash, as Kostallari, as unë, as Akademia e Shkencave s’mund t’i bëjmë 3 mijë. Do të thotë qysh mujmë na me kujtu që mujmë dikujt me ia imponu çkado qoftë të kësaj natyre” – ka thënë Rugova në emisionin “Kallxo Përnime”.