Sfidat e gjuhës shqipe, a duhet të preket standardi?

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_____________________________________________________________________________

Kur u shënua 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit u diskutua për gjuhën standarde shqipe edhe në emisionin “Kallxo Përnime”.

Gjuhëtari nga Akademia e Shkencave të Kosovës, Bardh Rugova, ka thënë se janë disa mite për gjuhën shqipe që duhet të thyhen, e një prej tyre është që standardi nuk duhet të preket.

“Shkenca nuk njeh parashkrim, ajo pranon vetëm përshkrimin linguistik dhe gjurmimin e gjendjes gjuhësore. Ne shikojmë dinamikat e zhvillimit, shikojmë si përdoret një formë dhe në bazë të tyre, nëse duam të bëjmë një rishikim të standardit pastaj gjejmë përgjigje të parashikojmë mënyrat” – ka thënë Rugova në emisionin “Kallxo Përnime”.

Kohë më parë, Rugova kishte botuar një studim, ku kishte listuar disa mite që duhet të thyhen në gjuhën shqipe.

Gazmend Bërlajolli, përkthyes, e ka quajtur fatkeqësi të madhe faktin që njerëzit që janë përfshirë në debatin rreth gjuhës janë të dy taborëve.

Sipas tij nuk ka diçka konkrete as në fushën e shkencës për të na orientuar se çka po ndryshojmë.

“Çka po marrim ne që me e bo standardin sa më gjithëpërfshirës, me e futë edhe shqiptarin gegë, me u ndi brenda shtëpisë së vet se ne e përjetojmë standardin si diçka që le çka di prej gjuhës së shoqërisë që të rrethon dhe ke te ajo imitimi një lloj varieteti që flitet në Shqipëri edhe në televizionet e Tiranës” – ka thënë Bërlajolli.