Hapja e edicionit të 20-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë. FOTO: Biblioteka Kombëtare e Kosovës /Facebook.

U hap edicioni i 20-të i Javës së Bibliotekës në Kosovë

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka hapur të hënën edicionin e 20-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë.

Kjo veprimtari kulturore do të zgjasë deri më 28 maj.

Me ligjëratat, debatet dhe diskutimet që do të zhvillohen gjatë javës së bibliotekës për temën “Biblioteka dhe shërbimi i referencave” bibliotekarët e referencës do të përfitojnë njohuri mbi fushën tematike lidhur me atë se çfarë gjendet në dispozicion në formë të shtypur, në kompjuter dhe në burime të tjera.

Hapja e edicionit të 20-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë. FOTO: Biblioteka Kombëtare e Kosovës /Facebook.
Hapja e edicionit të 20-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë. FOTO: Biblioteka Kombëtare e Kosovës /Facebook.

Në këtë ngjarje është përmendur se në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë është hapur biblioteka e veprimtarit Adem Demaçi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij para të pranishmëve e cilësoi bibliotekën si teknologji të lartë, arkivim të lartë, dije të lartë dhe tha se biblioteka përmban “një lëndë sublime – mendimin”.

“Java e Bibliotekës vetëm na bën nderë sepse është kultura për të gjithë, është dija për të gjithë, është shija për të gjithë. Përpara bibliotekës të gjitha janë të barabarta. Kjo bibliotekë nga personale po vjen dhe përmbushë barazinë e publikes. Ajo mban emrin e madh “Adem Demaçi”, veprimtarit dhe intelektualit të papërsëritshëm. ”- tha kryeministri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. FOTO: Biblioteka Kombëtare e Kosovës /Facebook.

Ai shtoi se më shumë se kurrë lipset t’i jepet rëndësi leximit.

“Më shumë se kurrë lipset t’i japim rëndësi leximit, jo vetëm për dijen e përqendruar më të përpiktë, por edhe për një formë durimi specifik që nuk ta siguron shumësia e mjeteve moderne elektronike por lidhja e drejt për drejtë me gjuhën, me vetminë dhe me shoqërinë, estetika e faqes së letrës”- u shpreh ai.

Ndërkaq, Shqiptar Demaçi, djali i veprimtarit Adem Demaçi, lexoi idenë e Adem Demaçit lidhur me lëvizjen politike “Harmonia”.

Shqiptar Demaçi, djali i veprimtarit Adem Demaçi. FOTO: Biblioteka Kombëtare e Kosovës /Facebook.

Tutje, kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, Bardh Rugova, u shpreh se aktivitete si Java e Bibliotekës zakonisht shërbejnë pjesërisht për ta kremtuar trashëgiminë e dijes së Kosovës dhe se më shumë se kaq aktivitete të tilla shërbejnë për të vetëdijesuar për sistemin e vlerës së kësaj trashëgimie.

“Ne jemi në bibliotekë këtu me mbiemrin kombëtare, e kjo më shumë se gjithçka tjetër tregon se kemi të bëjmë me simbolin e një arkivi të dijes së këtij vendi të trashëgimisë së dijes së Kosovës”- tha Rugova.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, Bardh Rugova. FOTO: Biblioteka Kombëtare e Kosovës /Facebook.

Qerim Qerimi, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cilësoi ditën e fillimit të Javës së Bibliotekës si ditë emblematike për dijen dhe librin.

“Kjo ngjarje e çmueshme për institucionin e librit na lidh me kujtesën tonë kolektive sociale. E para me kujtesën historike e kulturore që bart më vete biblioteka Kombëtare e Kosovës. E dyta me kujdesin institucional dhe individual për librin. E treta me karakterin thellësisht universal të librit dhe aspiratat tona për të qenë e për të mbetur pjesë e këtij universi”- tha rektori Qerimi.

Qerim Qerimi, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. FOTO: Biblioteka Kombëtare e Kosovës /Facebook.

Java e Bibliotekës në Kosovë organizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.