Gjykimi i ish-drejtorë të Komunës së Prizrenit - Foto: KALLXO.com

 Gjykimi ndaj ish-drejtorëve të Komunës së Prizrenit vazhdoi me fjalën hyrëse

Gjatë ditës së sotme është mbajtur gjykimi ndaj tre ish-drejtorëve të Komunës së Prizrenit, Levent Kasëmi, Fejzë Kabashi dhe Refik Shaqiri, të cilët po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën derisa ishin anëtarë të komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit.

Pos tre ish-drejtorëve, të akuzuar tjerë janë edhe ish-asamblistja Ganimete Babuna  nga Nisma Socialdemokrate dhe Ares Shporta, drejtor i Fondacionit “Lumbardhi”, i cili ka qenë anëtar i shoqërisë civile në komision.

Aktakuza ka të bëjë me tenderin publik për lokalet që janë pronë e Kuvendit Komunal në Prizren, të cilat Komuna e Prizrenit i jep në shfrytëzim me qira.

Në fjalën hyrëse, përfaqësuesi i Prokurorisë, Metush Biraj, deklaroi se nga provat të cilat do të administrohen në gjykim si dhe nga deklaratat e  dëshmitarëve do të vërtetohet se të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale si në aktakuzë.

Përfaqësuesja e Komunës së Prizrenit, Florentina Çoçaj dhe i dëmtuari Albert Doçi mbështetën dhe u pajtuan me aktakuzën e Prokurorisë, kurse sa i përket dëmit theksuan se do të deklarohen gjatë procedurave në vijim.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të akuzuarit Levent Kasëmi, Samidin Cena, në fjalën hyrëse deklaroi se në akuzë dhe në shkresat e lëndës nuk ka mundur të gjejë ndonjë provë e cila e vërteton faktin se i mbrojturi i tij ka patur qëllim të dëmtojë palën e dëmtuar apo t’i ketë mundësuar Fatmire Berishës ndonjë përfitim apo dobi.

“Konsideroj se i mbrojturi im ka vepruar drejtë dhe në përputhje me dispozitat ligjore gjatë punës së tij në komision, dhe vendimet janë marrë si komision ku janë votuar nga të gjithë anëtarët”, tha avokati Cena.

Kurse, avokati i të akuzuarit Fejzë Kabashi, Betim Kadolli, theksoi se pala e dëmtuar në këtë rast ishte dashur të adresohej në kontest civil dhe jo në çështjen penale. Avokati Kadolli gjithashtu e vuri në pikëpyetje deklarimin e përfaqësueses së Komunës së Prizrenit në lidhje me deklarimin si palë e dëmtuar.

“Komuna e Prizrenit derisa e ka nënshkruar një kontratë të tillë lidhur me shfrytëzimin e pronës së paluajtshme, këtë kontratë e ka nënshkruar me vetëdije, pa presione dhe me vullnetin e saj ka vazhduar të zbatojë këtë kontratë edhe sot e tutje, atëherë si mund të jetë palë e dëmtuar”, deklaroi avokati Kadolli.

Ngjashëm me këtë, të njëjta deklarime patën edhe përfaqësuesit e tjerë të të akuzuarve ku konsideruan se aktakuza në fjalë ishte e pabazuar dhe se vepra me të cilën i ngarkon Prokuroria kryhet me dashje, kurse kjo gjë nuk ishte dëshmuar nga ana e Prokurorisë.

Seanca ndaj ish-drejtorëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës ka vazhduar edhe me marrjen në pyetje të përfaqësueses së Komunës së Prizrenit. Çoçaj deklaroi se ishte zyrtare pranë Drejtorisë së Urbanizmit dhe nuk ishte marre me ankande publike dhe nuk kishte qenë pjesë e komisioneve gjatë punës.

Avokati Ardian Morina dhe Betim Kadolli gjatë seancës e pyetën përfaqësuesen e Komunës a ndihen palë e dëmtuar në këtë rast.

“Nëse Komuna ndihet palë e dëmtuar apo jo, një gjë e tillë do të vërtetohet gjatë fazave të tjera në shqyrtimin gjyqësor, me ç’rast do të deklarohem për këtë rrethanë”, tha Çoçaj.

Në përfundim, mbrojtësit e të akuzuarve patën vërejtje në deklaratën e dhënë nga ana e përfaqësueses së Komunës, nga fakti se nuk u deklarua nëse Komuna e Prizrenit ishte e palë dëmtuar në këtë rast ose jo.

Për shkak të orarit të punës, gjykimi u ndërpre dhe i njëjti u caktua më 15 korrik 2021.

Aktakuza ndaj zyrtarëve komunalë dhe të tjerëve ka të bëjë me tenderin publik për lokalet që janë pronë e Komunës së Prizrenit, të cilat Komuna i jep në shfrytëzim me qira.

Të gjithë të akuzuarit e lartcekur kanë qenë pjesë e komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, përderisa kryetar i komisioni ka qenë akuzuari ish-drejtori Levent Kasëmi, e zëvendëskryetar ish-drejtori Fejzë Kabashi.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se më 18 mars 2019 të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

Sipas Prokurorisë që të gjithë të akuzuarit me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të ankandit publik dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

“Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen Fatmire Berisha në dëm të të dëmtuarit Albert Doçi i cili nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës ofertuesi, në këtë rast i dëmtuari Albert Doçi, kishte ofruar shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin që gjendet në Shatërvan, ndërsa ofertuesja të cilës i ishte dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2.

Prokuroria në aktakuzën ndaj 5 zyrtarëve të komisionit ka  theksuar se përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja e lokalit nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni e ka poentuar me pikë maksimale.

I dëmtuari Albert Doçi kishte paraqitur ankesë në komisionin e ankesave, i njëjti komision e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar, dhe përmes një vendimi e ka kthyer çështjen në rishqyrtim. Por, sipas Prokurorisë përkundër këtij fakti, komisioni i përbërë nga pesë të akuzuarit ka potencuar se qëndrojnë para njoftimit  ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.

Komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe  këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit përbëhet nga shtatë anëtarë, tre nga të cilët i propozon kryetari i Komunës, tre anëtarë tjerë i propozon Asambleja Komunale e Prizrenit, ndërsa anëtar i fundit propozohet nga shoqëria civile.

KALLXO.com lidhur me rastin ndaj ish-drejtorëve të Komunës kishte raportuar edhe më herët.