Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-drejtorëve të Mytaher Haskukës, dëshmitari tregon si u dëmtua nga veprimi i të akuzuarve

Gjykimi ndaj ish-drejtorëve të Mytaher Haskukës, me propozimin e prokurorit ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit.

Prokuroria pretendon se Levent Kasëmi, ish-drejtor i Shërbimeve Publike (nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje), Fejzë Kabashi, ish-drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale (LDK) dhe Refik Shaqiri, ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi (Nova Demokratska Stranka), kanë keqpërdorur detyrën derisa ishin anëtarë të komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit.

Pos drejtorëve, të akuzuar janë edhe ish- asamblistja nga Nisma Socialdemokrate, Ganimete Babuna dhe Ares Shporta, drejtor i Fondacionit “Lumbardhi”, i cili ka qenë anëtar I komisionit nga shoqëia civile.

Albert Doçi në seancën e sotme deklaroi se qëndron pranë deklaratave të dhëna në Polici e Prokurori. Dëshmitari para trupit gjykues rrëfeu se nga viti 2014 e deri në vitin 2016 kishte pasur në posedim një lokal në Shatërvan, të cilin e kishte fituar në ankand ku kishte ofruar çmimin më të lartë për metër katror (m2). Pas kësaj, Komuna kishte organizuar ankand tjetër publik për marrjen me qira të lokalit ku kishte aplikuar përsëri dëshmitari mirëpo nuk kishte arritur të fitonte.

“Pakënaqësinë e shpreh sepse unë në ankand kam dhënë çmimin më të lartë për metër katror, i cili gjithashtu ka qenë kusht në ankandin e mëparshëm,  e sipas këtij kriteri në atë kohë unë e kam fituar lokalin me qira ku e kam shfrytëzuar për 4 vite. Duke e ditur këtë rrethanë, unë kam aplikuar përsëri në vitin 2018 dhe përsëri kam ofruar çmimin më të lartë por nuk e kam fituar”, deklaroi dëshmitari.

I pyetur nga përfaqësuesi i Prokurorisë se cila ka qenë arsyeja që dëshmitari kishte parashtruar kallëzim penal ndaj Levent Kasëmit, Doçi deklaroi se ishte i pakënaqur me rezultatin e ankandit.

“Unë kam paraqitur kallëzim penal sepse më janë shkelur të drejtat, ndërsa shpallja e ankandit ku ka qenë emri i fitueses Fatmire Berisha, ka qenë e nënshkruar nga ana e këtu të akuzuarit Levent Kasemi”, tha dëshmitari.

Dëshmitari u pyet nga ana e Prokurorisë se cila ishte arsyeja që komisioni i kishte dhënë lokalin me qira fitueses Fatmire Berisha, Doçi deklaroi se dyshonte se kjo gjë ishte bërë për shkak se Levent Kasëmin e kishte parë të rrinte shpesh me dhëndrin e përfitueses Berisha.

“Unë dyshoj se i akuzuari Levent Kasëmi me përfituesen e ankandit ka njohësi familjare, e që bindjen time e forcon fakti se i akuzuari Levent Kasëmi rri shpesh me dhëndrin e përfitueses”, deklaroi dëshmitari Doçi.

Albert Doçi gjithashtu rrëfeu se pranë Gjykatës në Prizren, në Departamentin Civil, kishte parashtruar kërkesë për shqiptimin e masës së përkohshme, mirëpo këtë kërkesë Gjykata ia kishte shpallur jokompetente.

Në lidhje me plotësimin e kritereve në ankand, i pyetur nga anëtarja e trupit gjykues Vjollca Buzhala, dëshmitari deklaroi se sipas tij mendonte se i kishte plotësuar të gjitha kriteret përveç njërit.

“Unë i kam plotësuar kriteret sipas çmimit më të lartë, planit të biznesit, sigurimit të ofertës për inovacion, mirëpo nuk e kam plotësuar një kriter sipas fletë-aplikimit pasi që aty është kërkuar nga aplikanti i biznesit të punësojë deri në 10 punëtorë mirëpo nuk më kujtohet mirë nëse ka patur edhe ndonjë kriter tjetër  ku ka patur përparësi gjinia femërore”, deklaroi dëshmitari.

Në fund të seancës, dëshmitari theksoi se nga ky vendim i komisionit e ndinte veten  të dëmtuar dhe se do të parashtrojë kërkesë pasurore juridike ndaj Komunës së Prizrenit dhe të akuzuarve në lidhje me dëmin e shkaktuar në biznes që nuk ka mundur ta ushtrojë.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit  po gjykohen për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit. Pesë të akuzuarit e lartcekur kanë qenë pjesë e komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, ku në cilësinë e  kryetarit ka qenë Levent Kasëmi  kurse si zëvendëskryetar i komisionit ka qenë Fejzë Kabashi.

Sipas aktakuzës, ofertuesi në këtë rast i dëmtuari Albert Doçi kishte ofruar shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin që gjendet në Shatërvan, ndërsa ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2.

Në bazë të aktakuzës së datës 18 mars 2019,  të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për vete apo personin tjetër, të njëjtit nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.