Gjykimi ndaj ish-drejtorëve të Komunës së Prizrenit, dëshmitarja: Anëtarët e komisionit nuk u konsultuan me zyrtarët e tjerë për procedurat e ankandit

Tre ish-drejtorët e komunal, Levent Kasëmi, Fejzë Kabashi dhe Refik Shaqiri, janë ulur sërish sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit

Ata të cilët po akuzohen nga Prokuroria se kanë keqpërdorur detyrën derisa ishin anëtarë të komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit.

Pos tre ish-drejtorëve, të akuzuar tjerë janë edhe ish-asamblistja Ganimete Babuna  nga Nisma Socialdemokrate dhe Ares Shporta, drejtor i Fondacionit “Lumbardhi”, i cili ka qenë anëtar i shoqërisë civile në komision.

Aktakuza ka të bëjë me tenderin publik për lokalet që janë pronë e Kuvendit Komunal në Prizren, të cilat Komuna e Prizrenit i jep në shfrytëzim me qira.

Në këtë seancë është dëgjuar dëshmitarja Merita Gorani, ish-zyrtare ligjore në Komunën e Prizrenit, e cila ka deklaruar se në seancat e komisionit kishte marrë pjesë si ndihmëse e procesmbajtësit Rahim Alija.

Përpara trupit gjykues, dëshmitarja Gorani sqaroi se gjatë takimeve të komisionit, anëtarët e komisionit nuk ishin konsultuar me zyrtarë tjerë të Komunës së Prizrenit, lidhur me procedurat e ankandit.

Po ashtu, ajo deklaroi se si ndihmës procesmbajtëse asnjëherë nuk i ishte  kërkuar që të jepte ndonjë sugjerim apo vërejtje lidhur me ankandin publik.

Gorani në fund shtoi se lidhur me këtë çështje të gjitha procesverbalet nga seancat e mbajtura gjenden tek sektori i pronës pranë Komunës së Prizrenit, saktësisht tek zyrtari Rahim Alija.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitares Gorani, seanca e sotme u ndërpre, ajo e radhës do të mbahet më 6 dhe 7 prill 2022.

Aktakuza ka të bëjë me tenderin publik për lokalet që janë pronë e Komunës së Prizrenit, të cilat Komuna i jep në shfrytëzim me qira.

Të gjithë të akuzuarit kanë qenë pjesë e komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, përderisa kryetar i komisioni ka qenë i akuzuari – drejtori Levent Kasëmi, e zëvendëskryetar – drejtori Fejzë Kabashi.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se më 18 mars 2019 të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

Sipas Prokurorisë që të gjithë të akuzuarit me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të ankandit publik dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

“Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen Fatmire Berisha në dëm të të dëmtuarit Albert Doçi, i cili nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, ofertuesi, në këtë rast i dëmtuari Albert Doçi, kishte ofruar shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin që gjendet në Shatërvan, ndërsa ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2.

Prokuroria në aktakuzën ndaj 5 zyrtarëve të komisionit ka  theksuar se përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja e lokalit nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni e ka poentuar me pikë maksimale.

I dëmtuari Albert Doçi kishte paraqitur ankesë në Komisionin e Ankesave, i njëjti Komision e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar, dhe përmes një vendimi e ka kthyer çështjen në rishqyrtim.

Por, sipas Prokurorisë, përkundër këtij fakti, komisioni i përbërë nga pesë të akuzuarit ka potencuar se qëndrojnë para njoftimit  ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar – LINK.