Ngitet aktakuzë ndaj drejtoreshës së Arsimit në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemlie Thaçi – Vezgishi.

Sipas njoftimit, aktakuza është ngritur për raportim të rremë të pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

“Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurës Xh.TH.V. në cilësinë e drejtoreshës për Arsim në Komunën e Prizrenit si zyrtare e lartë publike, e kualifikuar sipas nenit 1 (par. 1.1.11) të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtareve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë personat zyrtar”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, nga 1 mars 2020 deri më datë 31 mars 2020, afat i cili është vazhduar deri më 19 qershor 2020, nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë pasurore ose të detyrimeve financiare, për vitin paraprak 2019 në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë.

“Disa herë ishte njoftuar në lidhje me këtë obligim ligjor, e po ashtu në formularin për deklarim të pasurisë nr. 09000, datë 25 qershor 2020 edhe pse i dorëzuar me vonesë, nuk i ka deklaruar të ardhurat personale të realizuara nga paga mujore që e ka marr si zyrtare e lartë publike për periudhën raportuese 2019”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime, e akuzuara Xh.TH.V., ka përmbushur elementet e veprës penale, ndërsa prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që e akuzuara të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtoreshën e Arsimit në Prizren, Xhemile Thaçi – Vezgishi, e cila ka deklaruar se nga ne është njoftuar se ka aktakuzë ndaj saj.

“Aktakuzë, unë prej teje po informohem se më është ngritur aktakuzë”, ka thënë shkurt Thaçi – Vezgishi.