FOTO: KALLXO.COM Kompania, " Pastërtia" Nëntor 2020

“Ngërçet financiare” shkaktojnë vonesa në rrogat e punëtorëve të kompanisë “Pastërtia”

Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj, të cilët vozisin kamionët dhe punëtorët fizik në fillim të muajit maj, kanë mbajtur grevë për shkak të vonesës së rrogave dhe për kushtet jo të mira të punës.

Pasi punëtoret kanë qenë duke protestuar, mbeturinat e qytetarëve kanë mbetur para dyerve të shtëpive të tyre.

Punëtorë e “Pastërtisë” dhe qytetarë të Ferizajt kanë dërguar ankesat e tyre lidhur me këtë kompani në adresën e KALLXO.com.

E.R banorë i Ferizajt ka thënë se mbeturinat që nuk janë larguar për disa ditë, si pasojë, qentë endacak i kanë shpërndarë ato duke krijuar ambient të papastër e madje edhe rrezikim të shëndetit për popullatën, për shkak të rritjes së mundësive për përhapje të infeksioneve të ndryshme.

“Në fillim të muajit maj në qytetin e Ferizajt, nuk janë larguar mbeturinat e mbledhura në skaj të rrugicës “Brahim Ademi” nga ku zakonisht çdo javë kompania “Pastërtia” i largon ato”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje, e kjo situatë të mos zgjatet më, pasi mosmbledhja e mbeturinave po përcillet me rreziqe të ndryshme.

“Aty kanë filluar qentë endacak t’i dëmtojnë qeset e mbeturinave. Ato po kundërmojnë erë e keqe dhe janë potencialisht të dëmshme për shëndetin tonë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër punëtorë të kësaj kompanie kanë thënë se njëra ndër arsyet e grevës ka qenë vonesa e rrogave, mungesa e uniformave, mungesa e dorëzave dhe maskave dhe automjetet e vjetra të punës.

“Vonesat në rroga janë të paarsyeshme edhe pse kushtet tjera nuk janë hiç më të mira”, ka thënë njëri nga punëtorët pa dashur të identifikohet.

Arsyeja që punëtorëve u janë vonuar rrogat sipas përgjigje së kompanisë, janë vështirësitë financiare që po kalojnë.

“Vështirësitë financiare për shkak të rënies së inkasimit dhe grumbullimi i detyrimeve që kemi ndaj operatorëve tjerë nga periudhat e kaluara kanë quar në një ngërç financiar të KRM ‘Pastërtia’ dhe si e tillë ka rezultuar në vonesën edhe të pagave të punëtorëve vetëm në majin prill/2021 dhe atë për 5 ditë, ndërsa edhe përkundër situatës së rënduar, punëtorët pagat i kanë marrë gjithnjë me kohë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të KMR “Pastërtia”.

Sipas kompanisë, punëtorët kanë qenë të pajisur me maska dhe dorëza, ndërsa pajisja me uniforma është në fazat e fundit të prokurimit.

“Problemet më të mëdha me të cilat përballet KRM ‘Pastërtia’ siç e ceka edhe më lartë, janë ato financiare dhe problemet me makinerinë e amortizuar dhe të stërvjetëruara, defektet e këtyre makinerive janë evidente thuajse çdo ditë dhe sanimi i tyre kushton shtrenjtë, duke mos harruar edhe shpenzimet e derivateve të cilat këto makineri shpenzojnë e që janë shumë të mëdha”, kanë bërë të ditur nga kompania.

Drejtori i Shërbimeve Publike në komunën e Ferizajt, Arben Halili ka hedhur poshtë pretendimet e punëtorëve për vonesat e rrogave.

“Sipas informative që unë posedoj asnjë pagë nuk është borxh ndaj punëtorëve për të cilët ju po flisni, për vonesa mund të ketë”, ka thënë Halili.

Në nëntor të vitit 2020, KALLXO.com ka raportuar se punëtorët e kësaj kompanie kanë protestuar për largim nga puna të dy punëtorëve dhe për mos rritje të pagave.

Puntorët e kompanisë ‘Pastërtia’ protestojnë për mos rritje të rrogave dhe përjashtim të kolegëve nga puna