Nexhmi Rudari u thotë gazetarëve se i kanë shkelur rregullat kundër COVID-19

Një numër i madh i mbështetësve të LDK-së janë parë në selinë e kësaj partie në Podujevë.

Kandidati i kësaj partie për të parin e komunës, Nexhmi Rudari ishte aty bashkë me kryetarin e shtabit të LDK-së, kur u pyet nga gazetarët se pse ka lejuar një numër të madh të militantëve të mbledhen në një ambient të mbyllur në seli.

Rudari është përgjigjur duke thënë se edhe gazetarët kanë shkelur rregullat.

“Edhe ju e keni thy rregullat e pandemisë sepse keni hy në një ambient të mbyllur pa maska. Them të drejtën nuk e kam prit këtë masë, ne kemi qenë si shtab të ulur por edhe prezenca e mediave ka shtyrë të gjithë këta njerëz që të vijnë të përkrahin kandidatin e tyre. Ne ishim këtu si shtab, këtu pranë meje është kryetari i shtabit dhe në dhoma tjera edhe aktivistë”, ka thënë Rudari.

Qendrat e Votimit në komunën e Podujevës janë mbyllur në ora 19:00, ndërsa rezultatet e para preliminare, sipas KQZ-së, pritet të publikohen rreth orës 21:00.