Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shpejtim Bulliqi për Nexhmi Rudarin: Ky është djalë i mirë, por nuk vendos ky në Komunë

Dy kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës kanë replikuar kur është diskutuar shkarkimi i drejtorit të Shëndetësisë, Zaim Thaçi, në kohë pandemie.

Gjatë “Debatit pernime” në një moment kandidati i Vetëvendosjes e lëvdoi kundërkandidatin nga LDK-ja, duke thënë se është djalë i mirë por se, sipas tij, Nexhmi Rudari nuk vendos në Komunën e Podujevës.

“Ky është shumë djalë i mirë po, ky as nuk mund të ngarkoj as s’mund të shkarkoj, tjetërkush vendos për këto çështje. Dihet, shefi i tij vendos për këto çështje. Ai djalë ka punu edhe drejtor i QKMF-së, ky është mirë me na tregu cila është arsyeja e vërtetë e shkarkimit të tij në kohë pandemie”, ka thënë Bulliqi.

Ndërsa, Rudari e ka arsyetuar shkarkimin e Thaçit për performancë të dobët.

“Çështja e shkarkimit të drejtorit është çështje që është vlerësuar nga unë si kryetar i ekzekutivit për mungesë performance. Unë kam dashtë që të kem një drejtor shumë më proaktiv në këtë kohë të pandemisë”, tha Rudari.

“Nuk them që nuk ka punuar, është angazhuar por nuk i ka përmbushur pritjet e mia. Për momentin është një drejtor i autorizuar, sepse nuk kam dashtë me emërua dikë në kohë zgjedhësh”, deklaroi ai.