A e theu izolimin ministri Abrashi? Albulena Haxhiu kërkon veprime nga hetuesia

Më 18 nëntor, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi njoftoi në rrjetin social Facebook se kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.

Ndërsa sot, pas dhjetë ditëve, ai ka dalë në teren, së bashku me ushtruesin e detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, tv vendi ku po bëhen punimet në magjistralen Prishtinë-Podujevë.

E, ndaj kësaj ka reaguar ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se ministri Abrashi nga LDK ka kryer vepër penale, sipas Kodit Penal të Kosovës.

“Veprimi i Arban Abrashit përveç tjerash është vepër penale prandaj policia e prokuroria duhet t’i zbatojnë detyrimet ligjore njësoj sikur edhe për qytetarët tjerë!”, thuhet në reagimin e saj në Facebook.

Ndërsa, ka reaguar edhe zyrtari tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli. Ai ka shpjeguar kohën e izolimit, sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Në momentin kur bëhet testi për COVID-19, nënshkruhet edhe një deklaratë me të dhënat personale dhe adresën e banimit në të cilën në pjesën e poshtme shënon edhe për obligimet ligjore të vetizolimit 2 javor. Tek pasi të kalon afati prej 2 javësh, personi i testuar merr një telefonatë nga ISHKPK-ja dhe pas deklarimit se nuk ka shenja të sëmundjes merr njoftimin që mund të del nga vetizolimi. Që saktë i bije që Ministri Abrashi ka bërë vepër penale duke rrezikuar qytetarët me përhapjen e sëmundjes ngjitëse. Prokuroria nuk duhet të heshtë”, thuhet në komentin e Dugollit që bëri në postimin e Haxhiut.

Ndërkohë, KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim nga vetë Arban Abrashi, por ai nuk ka kthyer përgjigje.

Sot ka qenë dita e fundit e fushatës zgjedhore në Podujevë pasi të dielën mbahen zgjedhjet e parakohshme për kryetar të kësaj komune.