Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet nesër (e mërkurë).

Sipas një njoftimit të legjislativit, mbledhja do të nis në ora 14:00, si dhe ka një varg pikash në rend të ditës.

Mes tjerash, në këtë mbledhje do të shqyrtohen edhe 5 marrëveshjet ndërkombëtare që s’u trajtuan në seancën plenare javën e kaluar, për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryesia e Kuvendit pritet të vendos edhe për  formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media nga radha e komunitetit shqiptar, si dhe formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për shtatë anëtarë të Bordit të  Radiotelevizionit të Kosovës.

Kuvendi tutje ka bërë të ditur se për shkak të situatës pandemike dhe masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, mbledhja do të mbahet pa prezencën e mediave.

“Pas mbledhjes, mediat dhe publiku do të njihen me vendimet e Kryesisë, nëpërmjet komunikatës dhe do të sigurohen pamje nga fillimi i mbledhjes”, thuhet në njoftim.

Rendi i ditës i plotë i mbledhjes së Kryesisë:

  1. Miratimi i Procesverbalit nga mbledhja e mëparshme e Kryesisë së Kuvendit,
  2. Përgatitjet për Seancën plenare të radhës:
  3. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
  4. Pyetjet parlamentare,
  5. Miratimi i procesverbalit/eve nga seancat e mëparshme,
  6. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar,
  7. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,
  8. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
  9. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,
  10. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”,
  11. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media nga radha e komunitetit shqiptar,
  12. Formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për shtatë (7) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
  13. Propozimi i GP Nisma Socialdemokrate për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare,
  14. Interpelancë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti.

III. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave