Nënshkruhet marrëveshje ushtarake me Republikën e Turqisë

Sot në Turqi është bërë nënshkrimi i marrëveshjes ushtarake kornizë mes Kosovës dhe shtetit turk.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes dhe delagacioni i FSK-së, të cilët po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, me ftesë nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yasar Guler.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, takimi i dy ministrave të mbrojtjes filloi me pritje ceremoniale ushtarake, dhe ky takim u përmbyll me nënshkrimin e Marrëveshjes Ushtarake Kornizë, me anë të së cilës thuhet se pritet thellimi i bashkëpunimit ushtarak në shumë drejtime.

“Shkëmbimi i personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimi në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turqi, ishin disa nga çështjet të cilat ministrat diskutuan, e që përmes marrëveshjes së nënshkruar i hapet rrugë procesit për realizimin e tyre”- thuhet në kumtesën e Ministrisë së Mbrojtjes.