Nënkryetari i LDK-së: PDK dhe LVV janë marrë vesh për datën e zgjedhjeve

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë marrë vesh për datën e zgjedhjeve dhe se ajo më së largu do të jetë 7 korriku.

Sipas Muhaxherit, i cili është edhe kryetar i Komunës së Pejës, ky dakordim është bërë në darkën e mbrëmshme (13.05.2024) mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.

“Janë marrë vesh për datën e zgjedhjeve. Më së largu me 7 korrik. Kur ka kësi afrimi është mundësia edhe për marrëveshje më të mëdha. Data publikohet ditëve në vijim” – deklaroi ai në emisionin Rubikon në Klan Kosova.

Pas refuzimit që Kurti mori nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, Muhaxheri tha se Kurti ka kërkuar sërish takim me Abdixhikun.

“Pas atij refuzimit të djeshëm, ka qenë edhe një kërkesë për me u taku sot. Prapë ka qenë refuzuese” – tha ai.

Pas takimit që zgjati rreth tri orë Krasniqi dhe Kurti deklaruam se temë diskutimi kanë qenë zgjedhjet e reja.

Krasniqi ka thënë se i ka shprehur kryeministrit domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sepse ai vlerëson se gjendja në vend nuk është e mirë dhe se edhe në Kuvend pikat e seancave po barten nga java në javë.

Kurti është shprehur i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet.

Ai deklaroi se nuk do të preferonte që të shpërndahet Kuvendi me dy ose tri parti, por që të gjithë “të jenë bashkë”.

LDK ka reaguar sot (14.05.2024) përmes një letre duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Edhe kreu i AAK-së ka thënë se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.