Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nenad Rashiq tregon metodat e Listës Serbe për “manipulimin” e votave

Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive në emisionin “Kallxo Pernime” ka folur edhe për organizimin e Listës Serbe për të siguruar vota për listën e Ardijana Hoxhiqit dhe ‘Iniciativën Rome’.

“Unë e di saktë kush ka lobu çka kanë bo, ua di emrat dhe krejt po më thonë që ka ardhur urdhër. Në katundin tim, asnjë boshnjak dhe asnjë rom nuk jeton dhe të dy parti janë afër votave të mia”, tha ai.

Rashiq theksoi se janë mbi 500 persona që kanë punuar për të lobuar për të votuar këto dy subjekte edhe në komunat ku nuk ka romë dhe boshnjakë.

“E njëjta formulë ka qenë në çdo katund në komunën e Graçanicës dhe po ashtu në çdo katund kemi pasë prej Parteshit, Shtërpcës, Ranillugut, Kllokotit. Aty po punojnë së paku 500 veta për organizim, secili katund ka nga 10 ose 15 persona dhe në fund këta nuk paguhen nga institucionet e Kosovës por nga institucione të tjera dhe kështu po funksionon”, tha ai.

 

Sipas tij ‘me një presion, një kërcënim, me dhunë fizike që tash po demonstrohet, njerëzit janë marrë peng’.

Rashiq ka thënë se për të dëshmuar që kanë votuar partinë e kërkuar, qytetarët ose fotografojnë votën ose votojnë me asistencë.

“Dihet se duhet të bëjnë foto ata që nuk janë të sigurt. 50 për qind votojnë çfarë të thonë vetëm me pak kërcënime votojnë. 30 për qind janë ata që nuk janë të sigurt, dhe këta i çojnë për të votuar me asistencë, dhe hymë atje së bashku ti voton dhe unë shikoj” , tha ai.

Në emisionin “Kallxo Pernime” po debatohet për manipulimet me votat e minoriteteve.