Foto: PK

Në Zubin Potok kapet kamioni cisternë me naftë të papërpunuar, dyshohet se u kontrabandua nga Serbia

Policia Kufitare ka gjetur dhe konfiskuar një kamion cisternë pa targa të ngarkuar me naftë të papërpunuar në fshatin Kovaçë të Zubin Potokut.

Në lokacionin e njëjtë, Njësia e Drejtorisë rajonale ‘Veriu’ ka hasur në një automjet me targa vendore, i cili ishte i ngarkuar me pllaka të qeramikës dhe disa thasë ngjitës të pllakave të prodhuar në Serbi.

Siç ka njoftuar Policia, nafta e papërpunuar, qeramikat dhe ngjitësi i pllakave dyshohet se janë të kontrabanduara nga Serbia.

Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent dhe me autorizim të tij janë iniciuar rastet – kontrabandim me mallra.

Kamioni, automjeti dhe mallrat e dyshuara janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal.