Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në 16-vjetorin e Pavarësisë do të prezantohet trajneri i ri i Kombëtares së Kosovës në futboll

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të bëhet prezantimi i trajnerit të ri të Kombëtares së Kosovës në futboll.

“Federata e Futbollit e Kosovës, nesër, do të bëjë prezantimin e përzgjedhësit të ri të Kombëtares.  Prezantimi para mediave do të bëhet në orën 14:00 në hotel ‘Emerald’” – thuhet në njoftimin e FFK-së të publikuar më 16.02.2024.

Edhe pse FFK nuk ka bërë të ditur emrin e trajnerit që do të prezantohet, emri më i përfolur për të marrë drejtimin e kombëtares është gjermani Franco Foda. Foda ka qenë trajner i ekipit të Zurihut, Kaisernslauternit dhe menaxher i kombëtares së Austrisë nga nëntori i vitit 2017 deri në fund të muajit mars të vitit 2022.

Foda zëvendëson sllovenin Primozh Gliha, i cili filloi bashkëpunimin me FFK-në në korrik të vitit 2023 dhe u largua në përfundim të eliminatoreve për “Euro 2024”. Njoftimin për largimin e tij e bëri FFK më 22.11.2023.