Në mesin e financuesve të Lëvizjes Vetëvendosje edhe figura të rëndësishme të partisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka publikuar raportet e paaudituara financiare të partive politike të vitit 2019.

Në këto raporte, partia e udhëhequr nga Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka deklaruar se të hyrat e partisë për vitin 2019 janë 1 milion e 168 mijë e 871 euro.

Pjesa më e madhe e këtyre të hyrave është nga buxheti, mirëpo një pjesë goxha e mirë të të hyrave LVV e siguron nga donatorët e saj.

49 mijë e 885 euro është shuma të cilën LVV e merr nga donatorët. Për LVV-në para kanë dhënë edhe figura të rëndësishme të partisë.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka dhënë rreth 960 euro, pastaj ish-deputeti Ismajl Kurteshi ka dhënë 2,000 euro, Sami Kurteshi 1,000 euro, 1,700 euro i ka dhënë Sali Zyba.

Në listën e donatorëve të LVV-së janë edhe ish-ministrat e Qeverisë Kurti nga kjo parti. Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka dhënë 720, kurse ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka dhuruar vetëm 40 euro.

I pari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, po ashtu kishte kontribuar për partinë e tij, ai kishte dhënë 50 euro si donacion.

Gjatë vitit 2019, partia e udhëhequr nga Albin Kurti, ka shpenzuar 1 milion e 150 mijë e 219 euro, ku pjesa më e madhe e këtyre janë shpenzime në paga dhe kompensime, rreth 411 mijë euro, pastaj shpenzime në fushatë 431 mijë euro.

Listën e plotë mund ta gjeni në këtë link.